Vrau babë e bir, kapet autori i dyshuar

schedule16:35 - 1 Korrik, 2019

schedule 16:35 - 1 Korrik, 2019

7 vite pas vrasjes së babë e bir Nezir dhe Gentian Beqiri në qytetin e Elbasanit, është arrestuar në Itali autori i dyshuar për krimin. 28-vjeçari ishte shpallur ne kërkim gjatë operacionit “Krasta ” që u finalizua disa ditë më parë.

28-vjeçari Etien Cani është vënë në pranga si autor i dyshuar për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit, babë e bir 7 vite më parë në Elbasan.

I riu fshihej në Itali dhe operacioni është kryer pas shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tirana dhe Interpol Roma. Pas arrestimit në shtetin fqinj, Cani pritet të ekstradohet në Shqipëri.

Ndaj tij gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e arrestit me burg për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake.

Gjatë operacionit “Krasta” që u finalizua disa ditë më parë u arrestuan 10 persona, si dhe u shpallën në kërkim 5 shtetas të tjerë, ndër ta edhe 28-vjeçari që u ndalua të hënën në Itali.

Etien Cani dyshohet se ka vrarë Gentian Beqirin dhe më pas babain e tij. Të dy viktimat ishin në banesë dhe dyshohet se u eliminuan për hakmarrje. Ngjarja ndodhi në Gusht të 2012-së në lagjen “Çlirimi” të Elbasanit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!