Nevaldo Hajdaraj, efektivi 31-vjeçar i forcave Shqiponja i cili qëlloi për vdekje të riun Klodian Rasha pas mesnatës së të hënës në zonën e Laprakës ka mbërritur ditën e sotme në dyert e Gjykatës ku pritet të njihet me masën e sigurisë.
Një ditë më parë prokuroria kërkoi burg për efektivin i cili nga një hetim i kryer nga SHÇBA rezultoi se shkeli ligjin duke qëlluar për vdekjen Klodian Rashën, pavarësisht se deklaroi se e ndërmori këtë hap pasi ju duk sikur 25-vjeçari i drejtoi armën.
Sipas njoftimin të policisë të shpërndarë mëngjesin e së hënës në rrugicat ku u ndoq Rasha, u gjet një armë e mbushur e cila dyshohet se i përket pikërisht atij.
Gazetarja Glidona Daci raporton për ABC se në ekspertizën e kryer nga prokurori i çështjes ka rezultuar se në armë nuk janë gjetur gjurmë gishtash çka e bën të pamundur përcaktimin nëse arma i përket apo jo Rashës. Pritet tashmë të kryhet një tjetër ekspertizë për të verifikuar këtë dyshim./mv.abcnews.al