Këtë të mërkurë policia e Kavajës ka bërë arrestimin e 33 vjeçares Marsilda Qatja e shpallur në kërkim dhe e dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”.
“Gjatë operacionit policor të koduar “Plazhi”, u kap dhe u ndalua shtetasja në kërkim Marsida Qatja, 33 vjeçe, banuese në Kavajë, e dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”. Në vitin 2019, kjo shtetase ka përshtatur për përdorim droge, një ambient, në të cilën, për shkak të konsumimit të lëndëve narkotike, ka humbur jetën një shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë kujtojmë se në vitin 2019 në banesën e saj ka humbur jetën një person dhe është plagosur një tjetër si pasojë e një konflikti.
Policia thekson se ajo kishte përshtatur banesën e saj për përdorim droge, një ambient, në të cilën, për shkak të konsumimit të lëndëve narkotike, u ekzekutua Dritan Haxhollit nga Bledar Toçi, ish-shefi i sigurisë së brendshme në burgun e Durrësit.
Ndërkohë në fillim u duk sikur vrasja e erdhi si një konflikt pasioni me në qendër Qatjan, por më pas Prokuroria ka zbuluar se viktima dhe autori kanë pasur konflikte të mëparshme, që nuk lidheshin me 33-vjeçaren.
Nga hetimet e Prokurorisë, pas kontrollit të telefonit të tyre u zbuluan mesazhet ku Dritan Haxholli e kërcënonte Toçin, duke i kërkuar para. Gjithashtu në telefonin e Haxhollit Prokuroria ka gjetur komunikime dhe kërcënime edhe me persona të tjerë në Kavajë dhe biznesmenë, të cilëve u kërkonte para./abcnews.al