Vrasja makabre e dy turisteve nordike në Marok ka tronditur mbarë botën. Të enjten policia vendase arrestoi të dyshuarit për krimin makabër, ndërkohë që autoritetet në Danimarkë po e hetojnë ngjarjen si sulm terrorist.
Vrasja brutale e dy turistëve nordikë në Marok po hetohet në prizmin e një sulmi terrorist. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri danez Lars Lok Rasmusen, pas arrestimit të tre personave ditën e enjte, njëri prej të cilëve i njohur për lidhje me një grup ekstremist islamik. Luiza Feshterager dhe Maren Ueland, përkatësisht 24 dhe 28 vjeç, e para nga Danimarka dhe e dyta nga Norvegjia u gjetën të masakruara në afërsi të një zone të njohur turistike në fshatin Imlil ditën e hënë.
Disa media europiane raportojnë se dy të rejat janë gjetur në një pellg gjaku dhe me kokën e prerë. Policia vendase ndërmori menjëherë një operacion kërkimi për autorët dhe një ditë më pas vuri në pranga njërin prej tyre. Të tjerët u arrestuan të enjten pas 72 orë kërkimesh në qytetin Marrakesh.
Pas deklaratës së kryeministrit të Danimarkës, shërbimet daneze të inteligjencës deklaruan se po hetojnë një video të publikuar në internet, ku njëra nga vajzat shfaqet duke u vrarë nga agresorët e saj. Gjithashtu, në video dëgjohen edhe fjalët “kjo është një hakmarrje për vëllezërit tanë në Haxhin”, lokalitet i njohur si bastion i Shtetit Islamik në lindje të Sirisë, që u mor nën kontroll në fillim të javës nga trupat amerikane. Sidoqoftë, autenticiteti i videos, ku dy vajzat konsiderohen “armike të Zotit”, nuk është siguruar ende.
“Nuk i dimë me saktësi rrethanat, por ka shumë tregues se vrasja mizore mund të jetë një akt terrorist”, deklaroi kryeministri Rasmusen. Sa i takon xhihadizmit në Marok, si Shteti Islamik ashtu edhe Al Kaeda kanë dështuar të ngrenë baza në këtë vend. Por për hetuesit, kjo nuk e përjashton mundësinë që sulmi të jetë kryer nga simpatizantë që besojnë se është detyrimi i tyre të veprojnë. /abcnews.al