Vrasja e Qarrit, po hetohen përplasjet mes 3 grupeve

schedule16:27 - 8 Shkurt, 2021

schedule 16:27 - 8 Shkurt, 2021

Nga Xhenila Kodra

Hetimi për zbardhjen e vrasjes së Gentian Qarrit po vijojnë të shtrira në 3 qytete, Vlorë, Durrës e në Tiranë. Pista kryesore është ajo e përplasjes mes grupeve kriminale në këto qytete për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Burime nga grupi hetimor konfirmojnë për ABC se nga viti 2001 deri në 2011-ën, Gentian Qarri ka qenë në burg në Itali.

Gjykata e vendit fqinj e kishte dënuar atë me 15 vite për trafik droge. Pasi ka lënë qelitë e burgut, 40 vjeçari është larguar në drejtim të Spanjës. Aty ai ka qëndruar deri në vitin 2017. Edhe në këtë shtet, Gentian Qarri është hetuar disa herë si i përfshirë në trafikun e drograve të forta, por në asnjë moment nuk është ndaluar nga autoritetet e huaja.

Që prej vitit 2017, Qarri ka ardhur në vendin tonë dhe kohët e fundit punonte si hidraulik në qytetin e Vlorës. Për të hedhur më shumë dritë mbi ekzekutimin e tij, autoritetet shqiptare i kanë kërkuar palës italiane informacion lidhur me një konflikt të hapur që Qarri ka pasur atje.

Grupi hetimor ka sekuestruar një sërë kamerash sigurie në vendngjarje dhe në zonën përreth, ku mendohet të kenë kaluar atentatorët. Ato kanë mundur të fiksojnë momentin kur autorët kanë qëlluar drejt 40 vjeçarit teksa lëviznin me mjetin tip Toyota.

Por për shkak të largësisë në rrezen e vendosjes së kamerave, nuk bëhet i mundur identifikimi i atentatorëve.

Gentian Qarri, i njohur me nofkën “Geçe” u qëllua me 20 plumba kallashnikovi teksa ecte në këmbë në lagjen “29 nëntori”, pranë shtëpisë së tij. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 6 shkurtit, ndërsa në periferi të qytetit, atentatorët dogjën makinën duke lënë brenda edhe armën e krimit./abcnews.al