Gjykata e Elbasanit, ka refuzuar për herë të dytë kërkesën e Prokurorisë për të marrë në pyetje Gazmend Bardhin në lidhje me vrasjen e Pjerin Xhuvanit ne 21 prill të vitit 2021.
Kjo kërkesë ashtu si herën e parë, është hedhur poshtë nga gjykata e Elbasanit, me argumentin se Bardhi duhej të ishte marrë në pyetje më para dhe jo në këtë pikë të hetimit.
Mësohet se në seancë kanë munguar 10 dëshmitarët të cilët janë thirrur për të dëshmuar mbi ngjarjen.
Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në 21 Prill të vitit 2021 pas një konflikti të nisur në lagjen “5 Maji”. Shkak u bënë dyshimet se një person po shpërndante para për sigurimin e votave për Partinë Socialiste në zgjedhjet parlamentare. Kjo solli përplasje me strukturën për mbrojtjen e votës nga Partia Demokratike, pjesë e së cilës ishte edhe Arbër Paplekaj. Ky i fundit u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.
Ngjarja ndodhi në 21 prill të vitit 2021, katër ditë para zgjedhjeve. Arbër Paplekaj, ishte pjesë e grupit të mbrojtjes së votës, të ngritur nga Partia Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit dhe shkoi në lagjen 5 Maji pasi kishin konstatuar një person me lista votuesish dhe që shpërndante para në këmbim të votës. Në përplasje e sipër, u vra Pjerin Xhuvani si edhe u plagosën Pavlo Vuksani, Emiliano Prenga, Eltjon Bodinaku si edhe policja Xhensila Sota./abcnews.al