Vrasja e Mateos, ministrja Muzhaqi shmang median: S’kam kohë

schedule15:46 - 18 Nëntor, 2021

schedule 15:46 - 18 Nëntor, 2021

Për vrasjen makabre e Mateos së vogël në Fier ka reaguar thuajse kushdo që ka pasur në dorë një mjet komunikimi për të shprehur diçka.

Qeveria aktuale ka edhe një Ministre Shteti të dedikuar për Fëmijët dhe Rininë. Bora Muzhaqi nuk e mori mundimin këto dy ditë të jepte vetë një mesazh publik për ngjarjen, qoftë edhe për të ngushëlluar familjen, e jo më për të marrë përgjegjësi.

Gjithsesi, gazetarët i prenë sot rrugën buzëqeshjes fëminore të qeverise duke i kërkuar një koment. Por ministrja me arrogancë konfirmoi që në fakt koha nuk i mungonte, dhe filloi të jap leksione për median.

Sjellja e saj ka sjellë një furtunë reagimesh në rrjetet sociale, të cilat evidentojnë papërgjegjshmërinë e ministres për të dhënë përgjigje për një çështje që është drejtpërdrejt në fushën e saj të përgjegjësisë dhe për të cilën qytetarët shqiptarë e paguajnë.

Në një status në rrjetet sociale, Muzhaqi ka shpjeguar arsyet pse dha një përgjigje të tillë. “Ndjesë nëse kam lënë shteg për keqkuptimin e kujtdoqoftë që ka pritur një përgjigje tjetër nga unë, përballë disa mediave të cilat m’u gjendën përballë duke shkuar për një tjetër takim pune. Jam thellësisht e prekur si të gjithë nga tragjedia e Fierit dhe besoj se gjithçka mund të bëhet më tutje për adresimin e çështjeve të pyetjes, do të bëhet, ashtu si duhet, nga institucionet.

Detyra ime funksionale është angazhimi me programet jashtëshkollore të nxënësve e studentëve, si dhe programet e aktiviteteve për fëmijët në komunitet. Prandaj dhe nuk m’u duk e udhës të jap një opinion personal mbi fusha të tjera specifike për të cilat m’u drejtua pyetja. Ndërsa për sa i takon sarkazmës politike apo mediatike me tragjedinë, nuk kam asnjë koment. E kam neveritur gjithnjë lojën publike me dhimbjen e shkaktuar prej tragjedive. Por sot e provova shijen e saj drejtpërdrejtë. Vdekja e dhunshme e një fëmije nuk mund të jetë kurrë arsye për të luajtur me njeri-tjetrin. Ndjesë edhe njëherë atyre që kanë keqkuptuar përgjigjen time”, shkruan Muzhaqi./abcnews.al