Vrasja e Klodian Rashës, reagon Meta: Dhuna e policisë përgjegjësi e drejtuesve

schedule14:34 - 9 Dhjetor, 2020

schedule 14:34 - 9 Dhjetor, 2020

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për varsjen e Klodian Rashës, i cili u qëllua për vdekje nga efektivi i policisë, mesnatën e së hënës. Kreu i shtetit i ka shprehur ngushëllimet familjes Rasha për humbjen e njeriut tyre të dashur.

Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Meta shkruan mes të tjerash se Policia e Shtetit ka mision të ruajë rendin e sigurinë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe Aktet Ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.

Më tej Meta thotë se: “Fatkeqësisht, të gjithë jemi bërë dëshmitarë, veçanërisht në dy vitet e fundit se, aktet e përdorimit të dhunës ekstreme dhe shproporcionale nga efektivë të caktuar të Policisë së Shtetit, kanë ardhur duke u përshkallëzuar”.

Për këtë kreu i shtetit bën përgjegjës direkt funksionarët e lartë dhe e drejtuesit e Policisë së Shtetit, si edhe Ministrin e Brendshëm, që siç thotë ai nuk kanë mbajtur deri më sot qëndrime publike të qarta për zero tolerancë ndaj akteve të tilla.

Meta i benë thirrje Prokurorisë të hetojë intensivisht, të zbardhë të vërtetën dhe të vërë para përgjegjësisë menjëherë autorët e aktit kriminal, të kryer nga organi që ka pikërisht detyrën të mbrojë jetën e qytetarëve. Koha për drejtësi është tani!”, e përmbyll presidenti mesazhin e tij.

Reagimi:

Të dashur familjarë të të ndjerit Klodian Rasha,

Më lejoni T’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për ndarjen nga jeta, në rrethana tashmë të bëra publike, të djalit dhe të afërmit Tuaj, i vrarë me armë zjarri nga një punonjës i Policisë së Shtetit, ngjarje shumë e rëndë dhe e dënueshme, që na ka tronditur thellësisht të gjithëve.

Të dashur qytetarë,

Policia e Shtetit ka mision të ruajë rendin e sigurinë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe Aktet Ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.

Fatkeqësisht, të gjithë jemi bërë dëshmitarë, veçanërisht në dy vitet e fundit se, aktet e përdorimit të dhunës ekstreme dhe shproporcionale nga efektivë të caktuar të Policisë së Shtetit, kanë ardhur duke u përshkallëzuar.

Kjo është përgjegjësi direkte e funksionarëve të lartë dhe e drejtuesve të Policisë së Shtetit, si edhe e Ministrit të Brendshëm, të cilët nuk kanë mbajtur deri më sot qëndrime publike të qarta për zero tolerancë ndaj akteve të tilla.

Uniforma e Policisë së Shtetit është përfaqësuese e drejtpërdrejt e autoritetit shtetëror, por dhe e besimit që qytetarët kanë ndaj shtetit.

Për ta fituar dhe për ta mbajtur atë, duhet integritet, meritë, profesionalizëm, paanshmëri, pavarësi, vetëpërmbajtje dhe mbi të gjitha ligjshmëri dhe respektim i të drejtave e lirive themelore të njeriut.

Këto janë parimet mbi të cilat duhet të ushtrojë detyrën çdo efektiv policie.

Çdo akt tjetër përtej ligjit dhe misionit të saj, i kryer nga Policia e Shtetit dhe efektivët e saj, është i papranueshëm, nuk duhet të tolerohet, por duhet të ndëshkohet.

Ju bëj thirrje agjencive ligjzbatuese dhe autoriteteve të tjera shtetërore, t`i përgjigjen menjëherë nevojës së mbarë shoqërisë për drejtësi, përmes një hetimi të shpejtë, të plotë, të pavarur, objektiv dhe transparent për ngjarjen e rëndë të vrasjes së shtetasit Klodian Rasha.

I kërkoj Prokurorisë të hetojë intensivisht, të zbardhë të vërtetën dhe të vërë para përgjegjësisë menjëherë autorët e aktit kriminal, të kryer nga organi që ka pikërisht detyrën të mbrojë jetën e qytetarëve.

Zbardhja e plotë e ngjarjes së rëndë duhet të shërbejë, si një moment kthese dhe reflektimi mbi ligjshmërinë e akteve të Policisë së Shtetit, jo vetëm të një individi, por e të gjithë zinxhirit komandues, që nga mënyra e rekrutimit, trajnimit dhe orientimit të efektivëve të policisë, deri te nxitja e veprimeve apo sjelljeve jashtë kërkesave të ligjit, që më pas çojnë edhe në ngjarje të tilla, të papranueshme për të gjithë shoqërinë tonë.

I kërkoj Avokatit të Popullit të ndjekë nga afër këtë rast dhe të dalë me rekomandime të posaçme për Policinë e Shtetit e që duhet të adresohen menjëherë nga kjo e fundit.

I bëj thirrje shoqërisë civile të jetë më aktive në krah të mbrojtjes të të drejtave të qytetarëve në raport me veprimet e Policisë së Shtetit, e të monitorojë në mënyrë konstante veprimtarinë e saj.

KOHA PËR DREJTËSI ËSHTË TANI!

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!