Vrasja e “kasapit të Gazës”/ Kush ishte Yahya Sinwar, figura kryesore e Hamas

schedule14:52 - 18 Tetor, 2024

schedule 14:52 - 18 Tetor, 2024

Yahya Sinwar, lideri i Hamas i cili u vra nga ushtria Izraelite ishte një ndër figurat më kryesore në historinë e grupit militant palestinez.

I njohur me pseudonimin “kasapi i Gazës”, ai ishte ndër themeluesit e krahut ushtarak të lëvizjes islamike palestineze Hamas, Brigadave al-Qassam, dhe konsiderohet nga Izraeli si organizatori i sulmit të 7 tetorit 2023 në të cilin u vranë më shumë se 1200 njerëz, përfshirë ushtarë dhe civilë.

Yahya Sinwar, i lindur në vitin 1962 në Khan Younis në jug të enklavës palestineze kaloi 22 vite të jetës së tij në burgjet Izraelite pasi u dënua në vitin 1989 me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy ushtarëve Izraelitë dhe 4 shtetasve palestinez që dyshohet se kishin bashkëpunim me Tel Avivin Zyrtar.
Ai arrit të lirohej nga burgu në vitin 2011 si pjesë e një marrëveshje me autoritetet Izraelite pasi Hamas kishte mbajtur peng një ushtar Izraelit per 5 vite.

Për kthimin e ushtarit Izraeli në Shtëpi Tel Avivi zyrtar liroi nga burgu 1000 shtetas palestinezë.

Gjatë 22 viteve të tij në burg, ai u shfaq si një lider karizmatik dhe si një njeri që nuk bënte kompromis me qëndorimet e tij radikale, duke u bërë një pikë referimi edhe për të burgosurit që nuk ishin të lidhur me Hamas.

Sinwar ishte shprehur se vitet e burgut i kishte kaluar duke studiuar armikun e tij, duke përfshirë mësimin e gjuhës Hebraishte. Pas lirimit të tij nga burgu dhe kthimit në Gaza, Sinwar u ngrit shpejt në radhët e udhëheqjes së Hamasit.

Ai besohet të ketë qenë pas vrasjes në vitin 2016 të një komandanti të lartë të Hamasit, Mahmoud Ishtewi, në një luftë të brendshme për pushtet.  Në vitin 2017, Sinwar u bë udhëheqës ushtarak i i Hamasit në Gaza, duke marrë në kontroll  enklavën  palestineze.  Ai punoi me liderin Politik të Hamas, Ismail Hanyeh për të lidhur grupin e tij me Iranin dhe aleatët e tij në rajon me synimin fuqizimin ushtarak të grupit militant. Yahya Sinwar u emërua kreu I Byrosë politike të Hamas në muajin gusht të këtij viti pas vrasjes së Ismail Hanyeh në Teheran.

Yahya Sinwar ishte shpallur terrorist global nga Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2015 dhe ishte sanksionuar për aktet e tij terroriste gjithashtu edhe nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.

/abcnews.al/