Vrasja e Hekuran Billës, Adiola Lakra: Celularin e shita disa ditë pas ngjarjes te “dollari”

schedule16:42 - 15 Korrik, 2020

schedule 16:42 - 15 Korrik, 2020

Nga Glidona Daci

Rëndohet pozita e Adiola Lakrës pas fakteve të reja që kanë dalë në dritë për ekzekutimin e Hekuran Billës mbrëmjen e 11 qershorit në zonën e komunës së Parisit.

Prokuroria ka dyshime se vajza ka zhdukur telefonin e për pasojë në këtë mënyrë ka tentuar të fshehë provat. Vetë 26 vjeçarja ka treguar se e ka shitur celularin që përdorte para vrasjes së Billës.

“Unë kam pasur në përdorim atë ditë një celular të markës iPhone X10 me ngjyrë gold. Në atë telefon kam pasur të regjistruar dy numra, njërin në whats up dhe tjetrin për të kryer thirrje.

Me Hekuran Billën komunikimet i kryeja në rrjetin whats up, por nuk më kujtohet numri. Aparatin telefonik me të cilin komunikoja me Hekuranin e kam shitur diku rreth 2-3 ditë pas ngjarjes, tek “Dollari” në qendër të qytetit.

Nuk mbaj mend se në emër të cilit person ka qenë i regjistruar ai numër, por di që e kam përdorur rreth 1 vit e gjysmë. Ndërsa numrin tjetër, e kam pasur te regjistruar në emrin tim”.

Më pas 26 vjeçarja e ka ndryshuar qëndrimin e saj, në lidhje me zhdukjen e aparatit celular që kishte në përdorim, duke pretenduar se e ka thyer nga zemërimi.

“Unë ndodhesha në një qendër tregtare bashkë me shoqen time Stela, mbiemrin e së cilës nuk e di, kur Lani më mori në telefon dhe më kërkoi të takoheshim. I thashë po. U ktheva në shtëpi rreth orës 20.30 të mbrëmjes. Hekurani më telefonoi përsëri dhe më tha se do vinte të më merrte të Komuna e Parisit. Mora taksi dhe u nisa.

Kur mbërrita te rrethrrotullimi i Komunës së Parisit, i shkrova Hekuranit, por ai nuk më ktheu përgjigje. Pa arritur te qendra Kristal, pashë shumë makina policie të cilat lëviznin me shpejtësi dhe pashë lajmet se ishte vrarë një person.

Ne telefon kam parë automjetin e Lanit dhe aty mësova se ai ishte vrarë. Jam kthyer sërish me të njëjtën taksi dhe kam shkuar ne shtëpinë time. Telefonin me të cilin komunikoja me Lanin e kam thyer copë-copë nga dëshpërimi”.

Sipas grupit të hetimit dëshmia e Adiola Lakrës  është kontradikotre dhe e pabesueshme. Prokuroria dyshon se ky fakt e implikon Lakrën në vrasjen e Billës. Gjithashtu i pabesueshëm për grupin hetimor është edhe fakti që 26 vjeçarja nuk mban mend numrin e celularit dhe emrin e personit në të cilin është i regjistruar.

Për hetuesit është i paqartë edhe fakti pse Lakra ka lejuar ish-të dashurin Sebastian Mali që t’i bëjë ftesë nga instagrami i saj Hekuran Billës. Për këtë ngjarje policia ka vënë në pranga edhe nip e dajë Sebastian Malin dhe Viktor Markun.

Të tre të dyshuarit kanë kërkuar lirinë në Gjykatën e Apelit, por togat e zeza i kanë lënë në burg. Ndërkohë nga policia është shpallur në kërkim edhe një person i katërt që dyshohet të ketë pasur rolin e shoferit dhe ka larguar Viktor Markun nga vendi i ngjarjes,  me makinën që u gjet e djegur në Pezë. Nga aty dyshohet të jenë larguar me një tjetër automjet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!