Një hetim i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka zbuluar se një tank i Izraelit që vrau një gazetar të Reuters dhe plagosi gjashtë të tjerë në Liban ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Sipas hetimit të Forcës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban nuk pati shkëmbime zjarri në kufi mes Izraelit dhe Libanit për më shumë se 40 minuta para se nga tanku të hapej zjarr dhe të vritej gazetari Issam Abdallah.
“Shenjëstrimi i civilëve, në këtë rast gazetarë që identifikoheshin dukshëm, përbën shkelje të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit dhe të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në raport.
Sipas hetimit, nuk dihet arsyeja pse forcat izraelite qëlluan mbi gazetarët. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë thënë se Hezbollahu i kishte sulmuar dhe se ishin përgjigjur me sulm.
Në raport thuhet se nga tanku u hap zjarr ndaj shtatë gazetarëve nga AFP, Al Jazeera dhe Reuters.
Grupi i gazetarëve kishte filmuar bombardimet ndërkufitare nga një distancë në një zonë të hapur në një kodër pranë fshatit libanez Alma al-Chaab për gati një orë para sulmit.
/abcnews.al