Vrasja e Emiljano Ramazanit, SPAK zbardh akuzat për dy të pandehurit

schedule08:46 - 6 Nëntor, 2021

schedule 08:46 - 6 Nëntor, 2021

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për vrasjen e Emiljano Ramazani, në Elbasan. SPAK bën me dije se ka dërguar për gjykim dy të pandehurit Xhulian Hoxha dhe Euglen Halili.

Prokuroria në një deklaratë ka zbardhur akuzat. Sipas SPAK, Xhulian Hoxha akuzohet për “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi Eugen Halilin.

Hoxha dhe Halili e qëlluan 27 herë me thikë Regis Runajn dhe të dy luajtën rolin e vëzhguesve në distancë të Emiljano Ramazanit, i cili po ashtu u ekzekutua në Elbasan.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria e Posaçme me datë 05.11.2021 ka përcjell në Gjykatën e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për kalimin për gjykim dhe aktet e proçedimit penal Nr.238/1 viti 2021, ndaj të pandehurve:

1. Xhulian Hoxha, i akuzuar:

Për krimin e vrasjes në dëm të viktimës Emiljano Ramazani më datë 20 Korrik 2020 në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, parashikuar si “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78/2, 278/3 të Kodit Penal;

Për krimin e vrasjes së Rigels Runaj më datë 29 Korrik 2020 në lagjen “Emin Matraxhiu”, në afërsi të varrezave të qytetit Elbasan, parashikuar si “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga neni 78/2 të Kodit Penal ;

dhe në të dy krimet duke bashkëvepruar dhe me të tjerë persona nën hetim në formën e veçantë të bashkëpunimit “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 333/a e 334 të Kodit Penal.

2. Euglen Halili, i akuzuar :

Për krimin e vrasjes në dëm të viktimës Emiljano Ramazani më datë 20 Korrik 2020 në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, parashikuar si “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78/2 dhe 278/3 të Kodit Penal;

Për krimin e vrasjes së Rigels Runaj më datë 29 Korrik 2020 në lagjen “Emin Matraxhiu”, në afërsi të varrezave të qytetit Elbasan, parashikuar si “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga neni 78/2 të Kodit Penal ;

dhe në të dy krimet duke bashkëvepruar dhe me të tjerë persona nën hetim në formën e veçantë të bashkëpunimit “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 333/a e 334 të Kodit Penal.

Ndërkohë vazhdojnë hetimet ndaj personave të tjerë të përfshirë si autorë të mundshëm në këto ngjarje kriminale.

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!