Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e djeshme fshatin Gramëz të Krujës. Dy vëllezër janë qëlluar me armë zjarri ku si pasojë kanë humbur jetën rrugës për në spital. Viktimat janë vëllezërit Gazmir Bardhi, 34 vjeç, dhe Xhoi Bardhi, 24 vjeç, ndërsa sipas policisë autori i dyshuar i ngjarjes është Roland Pula, 32 vjeç.
Burime për ABC News bëjnë të ditur se në ngjarje dyshohet se kanë marrë pjesë më shumë se një person dhe se dy vëllezërit janë qëlluar nga dy armë njëkohesisht.
Të njëjtat burime i thonë ABC News se autorët dyshohet se kanë pritur vëllezërit pranë portës së tyre. Mësohet se autori i dyshuar dhe viktimat kanë pasur një konflikt vite më parë, ndërsa ditën e djeshme njëri nga vëllezërit e autorit të vrasjes është konfliktuar verbalisht me njerin nga viktimat.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:25, në fshatin Gramëz të Krujës.