Gazetari Artan Hoxha ka ngritur dyshimet lidhur me vonesën e gjetjes së të vrarëve për kanabisin në Malësinë e Madhe. Artan Hoxha shkruan se raportoi ngjarjen ku mbetën të vrarë Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj që në momentin e parë, ndërsa shpreh habi përse policisë iu deshën 5 ditë për të mbërritur në vendin e krimit të udhëzuar nga babai i autorit të dyshuar të vrasjes së dyfishtë.
Artan Hoxha shprehet se ditën kur ata mbërritën në parcelën e kanabisit panë tymin që po digjte bimët narkotike. Ai thotë se kjo është e habitshme për kohë në këtë zonë kishte tre ditë që binte shi.
“Për shefat që duan prova dhe fakte për kanabisin e këtij viti. E mbani mend ngjarjen e 3 tetorit në Malësi të Madhe, ku mbeten të vrarë Vilson Çutaj dhe Klement Pepa?! Ajo ngjarja ku kufomat e viktimave, u gjetën pesë ditë nga pasi kishte ndodhur krimi. Në momentin e parë, kur publikova ngjarjen, denoncova faktin, se ngjarja ka ndodhur për shkak të parcelave me kanabis.
“Çuditërisht” policisë iu deshën plot 5 ditë për të gjetur kufomat, sepse nuk shkonte të parcelat me kanabis. Ditën që policia e drejtuar nga Rrok Pepaj, babai i personit të dyshuar si autor i ngjarjes, Daniel Pepaj, shkoi në vendin e quajtur Rrenza e Grecajve, bash në “miniparcelen” me kanabis, gjeti dhe dy kufomat e të vrarëve. Por për habi, ndërsa policia shkoi në skenën e krimit, në një zonë të pyllëzuar, përpara se të gjente viktimat, pa nga larg tymin e zjarrit, që po digjte parcelën me kanabis.
Si është e mundur të kishte zjarr në një zone ku prej 3 ditësh binte shi?! Kur askush nuk e dinte, as ku ishin të vrarët dhe as ku ishin parcelat me kanabis, kush dreqin i kishte vënë zjarrin kanabisit?! A shërbeu vonesa prej 5 ditësh për të gjetur të vrarët, si kohë e mjaftueshme për të asgjësuar parcelat me kanabis dhe për të fshire gjurmët nga vendi i krimit?!
Tashmë është e qartë, se Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj janë viktimat e para të kanabisit të kultivuar gjatë këtij viti. Urojmë sëpaku, qe te jene viktimat e fundit te narko-kultures 2020. Me poshte, 3 foto, të shkrepura mesditën e 8 tetorit 2020, ku duket zjarri që po digjte parcelën me kanabis, në momentin kur policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe gjeti dy të vrarët në Rrenzen e Grecajve”, shkruan Artan Hoxha.
Vilson Cutaj dhe Klement Pepaj u gjetën pajetë në një zonë të pyllëzuar pranë parcelës me kanabis, e cila u bë shkak për vrasjen e tyre nga Daniel Pepaj. Gazetari Artan Hoxha raportoi ngjarjen e rëndë një ditë pas zhdukjes së dy kushërinjve, duke zbuluar edhe shkakun e vrasjes, parcelën me kanabis./mv. abcnews.al
https://www.facebook.com/artan.hoxha.900/posts/3320012018036443