Vrasja e Devi Kasmit, SPAK jep pretencën për grekun Efthimious

schedule12:46 - 14 Maj, 2020

schedule 12:46 - 14 Maj, 2020

Prokuroria e Posaçme SPAK kërkon dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin grek Ethimious Efthimiou, i akuzuari kryesor për vrasjen e Devi Kasmit, në Janar të 2018, në Tiranë.

Në pretencën e dhënë mesditën e kësaj të enjte, SPAK i kërkoi gjykatës që ish-anëtarin e forcave speciale greke të shpallet fajtor për 6 vepra penale, mes të cilave “Vrasje me paramendim për interes”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit kriminal, për armëmbajtje, prodhim droge e “Grupi i Strukturuar Kriminal”.

Sipas organit të akuzës, hetimet zbuluan se Ethimious Efthimiou e kreu vrasjen e Kasmit, në këmbim të një shpërblimi dhe i porositur nga një grup kriminal.

Ndërsa për bashkëpunëtorin e tij në krim, Elton Halipajn, Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 35 vite heqje lirie.

Sipas SPAK, Halipaj dyshohet si pjesë e grupit kriminal që ka marrë pjesë jo vetëm në vrasjen e Devi Kasmit por dhe disa ngjarje të tjera kriminale. Nga hetimet, ka rezultuar se i akuzuari Elton Halipaj, ka siguruar armën e përdorur në vrasjen e Kasmit.

Pas atentatit të ndodhur në rrugën “Kongresi i Manastirit”, pranë banesës së Kasmit, policia arrestoi edhe bashkëpunëtorët e tjerë në krim, Malvin Dinellari dhe Elton Hoxhallarin. Ndërsa në kërkim vijon të jetë Aurel Hoxhallari, I dyshuar si organizatori i vrasjes. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!