Vrasja e Aleksandër Sadikajt, gazetarja: Një automjet dhe një motor ishin në vend për ta monitoruar

schedule22:01 - 13 Qershor, 2022

schedule 22:01 - 13 Qershor, 2022

Ekzekutimi makabër i Aleksandër Sadikajt në orën 13:30 të së shtunës 11 qershor tronditi kryeqytetin dhe opinionin publik. Krimi edhe pse mbi një personazh të njohur për policinë ishte i rëndë dhe ndodhi në një zonë me lëvizje të shumta.

Por sa mundësi ka që policia ta zbardhë këtë ngjarje dhe të çojë pas hekurave autorët, pasi shpërthimi me eksploziv në makinën e 27-vjeçarit mund të ketë lënë pak prova ose aspak. Gazetarja Glidona Daci tha në emisionin “Open” se një automjet dhe një motor ishin pranë vendit të ngjarjes pas shpërthimit dhe policia ka dyshime se mund të kenë qenë persona që e kanë ndjekur viktimën, apo dhe ekzekutorët që ishin për t’u siguruar se krimi ishte kryer.

“Shpresa e vetme që ka në dorë grupi hetimor janë kamerat e sigurisë për të përcaktuar lëvizjet me kohë të saktë, ku e ka lënë makinë, me kë është shoqëruar. A ka pasur persona të tjerë që mund ta kenë ndjekur. Sipas dyshimeve të hetuesve në momentin që ka ndodhur shpërthimi ka qenë aty pranë një motor dhe një automjet. Ka dyshime për këto dy mjete nga ana e grupit të hetimit, pasi dyshohet se kanë qenë aty për të vëzhguar, për të parë shpërthimin, gjithë skenën dhe ndoshta dhe për t’u siguruar nëse shënjestra do të humbte jetën. Për t’u ndalur te detajet e tjera, disa orë para atentatit, 27-vjeçari është takuar me një djalë nga Kuçova dhe i ka marrë një shumë prej 15 mijë eurosh një djali nga Kuçova, i cili kishte rolin e ndërmjetësit midis tij dhe një personazhi tjetër të njohur me pseudonimin “Peçja” për një çështjes borxhi. Në fakt hetuesit, pistën e borxheve e kanë lënë pak më në anë, janë përqendruar tek droga dhe aktiviteti i tij në fushën e narkotikëve, pasi ka dyshime se ai mund t’i ketë bërë një gol një grupi kriminal shumë të fuqishëm, të cilët kanë dëshiruar ekzekutimin e tij. Gol do të thotë që Aleksandër Sadikaj mund të ketë marrë lëndën narkotike, nuk ka bërë pagesën, ose lënda narkotike nuk ka shkuar në destinacionin final”, tha gazetarja Daci.

Ajo theksoi më tej se dyshohet se autori ka qenë i njohur me Sadikajn dhe me njohuri të mira ushtarake, nisur nga mënyra si është vendosur eksplozivi.

“Kjo lloj ngjarje me kaq shumë pista, kaq shumë prapavijë kriminale që ka 27-vjeçari, nisur dhe nga fakti që është përfshirë në botën e krimit në një moshë relativisht të re dhe pasuria e tij është marramendëse për moshën që ka. Të krijon dyshimin se është përfshirë në aktivitete të paligjshme në një moshë të vogël. I dënuar në Shqipëri për vrasje. Dyshohet që ekzekutorët ose personi që i ka vendosur sasinë e eksplozivit, të jetë mes të njohurve të tij dhe gjithashtu të ketë njohuri të mira ushtarake, nisur nga mënyra se si është vendosur lënda plasëse.

Të paktën një personazh i cili që ruhej, ishte i armatosur apo lëvizte me njerëz që i njihte, me një itinerar të përcaktuar. Dyshohet që autori është një person që e ka njohur shumë mirë dhe i ka ditur me detaje lëvizjet e tij”, tha Daci.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!