Vrasja e 63-vjeçares Fatime Suli, e ndodhur në 20 Janar të këtij viti në fshatin Kozare në Kuçovë, tashmë prej disa ditësh ka mbërritur për gjykim në Gjykatën e Shkallës së parë Berat, pas përfundimit të hetimeve të Prokurorisë së Beratit.
Por,familja e të ndjerës nuk është dakord me përfundimin e hetimeve pasi pretendojnë se autori Fetah Mara nuk e ka kryer i vetëm krimin, ka pasur edhe një bashkëpunëtor.
Avokati i familjarëve të viktimës Fatime Suli, Ramiz Oboni deklaron se në seancën paraprake që do të zhvillohet pas disa ditësh ata do të kërkojnë që çështja të rikthehet përsëri në Prokurorinë e rrethit Berat për hetime të mëtejshme, pasi familjarët kërkojnë marrjen si të akuzuar për bashkëpunim në vrasje edhe të një shtetasi tjetër.
Avokati Ramiz Oboni deklaron se kjo çështje nuk mund të shkojë për gjykim, për sa kohë që familjarët deklarojnë se me Fetah Marën natën e vrasjes ka qënë edhe një shtetas tjetër, i quajtur Izet, për të cilin ata deklarojnë se është bashkëpunëtor me vrasësin Mara.
Avokati Oboni deklaron se organi i Prokurorisë duhet të kryejë një ballafaqim mes autorit Fetah Mara që e ka pranuar vrasjen dhe Izetit, shtetasit që e dëmtuara akuzuese e cilëson si bashkëpunëtor me Fetahun në vrasje dhe që është komshi me familjen e viktimës Fatime Suli.
Sipas avokatit Oboni, nëse Gjykata e Beratit në seancën paraprake nuk do ta pranojë kërkesën për rikthimin e çështjes në Prokurori për hetime të mëtejshme, ata do të kërkojnë thirrjen në gjyq si dëshmitar të Izetit por edhe të një shtetasi të tretë i quajtur Luli, që familjarët e cilësojnë si “dëshmitar okular” në ngjarjen e rëndë.
Avokati Oboni pohon se autori i vrasjes Fetah Mara ka qenë shumë kontradiktor në deklaratat që ka dhënë në polici pas vrasjes, ku fillimisht ka deklaruar prezencën e Izetit në vendngjarje dhe më pas ka deklaruar se ka qenë i vetëm kur e ka kryer vrasjen./Abcnews.al/

