Vrasja e 4-fishtë në Velipojë, Ademi: Duhet të ishte parandaluar, alarm i fortë për strukturat e shtetit

schedule10:52 - 27 Qershor, 2021

schedule 10:52 - 27 Qershor, 2021

Velipoja është tronditur mbrëmjen e djeshme, ku katër persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë u plagosën pas një përplasje me armë zjarri për shezlonget.

Të vrarë mbetën dy vëllezër të familjes Gocaj, Xhovani dhe Edmond Gocaj, 59-vjeçari Kujtim Ferracaku dhe një 20-vjeçar Myzerim Zeneli.

Lexo edhe: Pronarë hotelesh dhe punëtor, zbulohen emrat e viktimave të masakrës së Velipojës

Ndërsa të plagosur mbetën Hasan Ferracaku 54-vjeç dhe Elemedin Tyli 17-vjeç.

Lexo edhe: I vranë djemtë për shezlongët, Pjetër Gocaj: Të parin qëlluan të madhin, çfarë më duhet jeta më?

Një reagim ka ardhur nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi e cila thekson se ngjarja në Velipojë duhet të jetë një alarm i fortë për strukturat e shtetit.

Sipas saj Agjencia Kombëtare e Bregdetit që administron edhe hapësirën e plazhit në Velipojë, duhet të kishte vepruar sipas afateve dhe përcaktimeve ligjore për stacionet e plazhit, ndërsa thekson se konflikti i armatosur mund dhe duhet të ishte parandaluar.

Reagimi:

Ngjarja shumë e rëndë e mesnatës së shkuar në Velipojë, duhet të jetë një alarm i fortë për strukturat e shtetit. Humbja e 4 jetëve njerëzore mund dhe do ishte evituar nëse Ministria e Turizmit, Agjensia Kombëtare e Bregdetit që administron edhe hapësirën e plazhit në Velipojë, do të kishte vepruar sipas afateve dhe përcaktimeve ligjore për stacionet e plazhit.

Konflikti i armatosur në mes të Velipojës, një zonë turistike dhe në mes të sezonit, mund dhe duhej të ishte parandaluar, nëse policia dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese do të ishin të pranishme në territor, në zbatim të Akteve Normative për orën policore për pandeminë, nëse do të kishin vepruar pērpara sapo janë njoftuar gjatë ditëve të fundit për konflikt të mundshëm.

Dita e sotme është një ditë dhimbje dhe ankthi, jo vetëm për familjet e përfshira në ngjarjen tragjike, por për të gjithë shkodranët e shqiptarët, brenda e jashtë vendit.

Kërkoj me forcë, edhe në emër të shkodranëve, që strukturat e shtetit të funksionojnë, duke kryer detyrat e tyre në zbatim të Kushtetutës e ligjeve, në mbrojtje të jetës, sigurisë dhe pronës. Në Velipojë ngjarje të tilla janë shumë të rënda, konflikte të shkaktuara për sjellje dhe vendimarrje të vonuara apo të munguara të shtetit./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!