Vrasja e 27 vjeçarit Agon Zejnullahu/ Kthehen në paraburgim pesë policët që e arrestuan

schedule17:26 - 23 Korrik, 2025

schedule 17:26 - 23 Korrik, 2025

Gjykata Themelore në Prishtinë, vendosi që t’i kthejë në paraburgim pesë zyrtarët policorë që dyshohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.

Rasti ishte në rigjykim nga 21 korriku, me kërkesë të mbrojtësve të tyre.

Në aktvendimin e fundit të Gjykatës Themelore thuhet se të dyshuarve u caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji dhe se ajo do të llogaritet prej datës së ndalimit të tyre, më 7 korrik 2025, deri më 6 gusht 2025.

Aty, po ashtu, thuhet se “pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe pas vlerësimit të kundërshtimeve dhe argumenteve të të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre”, ka “arsye të mjaftueshme që të pandehurve t’iu caktohet masa e paraburgimit”.

Zejnullahu ka vdekur në orët e para të 7 korrikut, pasi është arrestuar nga policia në Lipjan.

Vdekjen e tij në vendngjarje e ka konstatuar edhe ekipi mjekësor.

Policia ka thënë se i ndjeri dyshohet se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur është ndaluar nga autoritetet e rendit.

Por, sipas familjarëve dhe avokatit të tyre mbrojtës, policia ka përdorur forcë të tepruar kundër tij.

Komandanti i Policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi, ka dhënë dorëheqje pas vdekjes së Zejnullahut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!