Vrasja e 23 vjeçarit në Klinë në parkingun e një restoranti, arrestohen pesë të dyshuarit

schedule10:47 - 29 Prill, 2022

schedule 10:47 - 29 Prill, 2022

Policia e Rajonit të Pejës ka dhënë detaje shtesë për vrasjen që tronditi mbrëmë Klinën. Atje mbeti i vrarë një 23-vjeçar dhe u plagosën dy vëllezërit e tij.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Policia ka bërë me dije se vrasja ka ndodhur në parkingun e një restaurant në Volljakë të Klinës.

“Më datë 28 prill 2022, rreth orës 20:40, Policia e Kosovës është informuar për të shtëna me armë zjarri, në parkingun e një restoranti në fshatin Volljakë, komuna e Klinës.

Policia menjëherë i është përgjigjur vendit të ngjarjes, dhe është kuptuar se tre (3) persona kanë pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit dhe mjete të forta. Viktimat fillimisht janë dërguar në QKMF-Klinë, e më pas në emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e njërit nga të lënduarit”, thuhet në njoftim.

Policia ka treguar edhe inicialet e të dyshuarve për këtë rast.

LEXO EDHE:  Kishin dalë për iftar me familje, si u vra 23-vjeçari dhe u plagosën dy vëllezërit e tij në Klinë

“Në vend ngjarje kanë dalë të gjitha njësitet kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, prokurori i shtetit, pas një pune intensive operative dhe hetimore është arritur të identifikohen dhe arrestohen pesë (5) të dyshuar në rast: ·A.G. lindur me 1980,·N.G. lindur me 1992, A.G. lindur me 1998, B.G. lindur me 1985, B.G. lindur me 1974

Pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të shtetit të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh. Trupi i pa jetë i viktimës me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në institutin e mjekësisë ligjore (IML) për obduksion”, thuhet në njoftim.

Dy të plagosurit kanë refuzuar që të shtrihen në Spitalin e Pejës, dhe menjëherë pasi kanë marrë ndihmën e parë, janë larguar për në shtëpi.

Lajmin për Gazetën Express e ka bërë të ditur Drejtori i Spitalit të Pejës, Skënder Dreshaj.

“Pacientët kanë refuzu qëndrimin në spital. Pas marrjes së ndihmës së parë, përkundër që mjeku dhe ekipi kujdestar kanë insistuar që ata të shtrihen në spital për 24 orë, ata kanë refuzuar dhe kanë shkuar në shtëpi. Lëndime kanë pas, por kanë refuzu të qëndrojnë në spital”, ka thënë Dreshaj.

Ndryshe, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:43 minuta, atëherë edhe kur ishte njoftuar Policia se në Klinë ka pasur të shtëna armësh dhe të plagosur.

Rastin për Gazetën Express e ka konfirmuar Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Pejës.

“Në 20:43 minuta policia është njoftuar se ka të shtëna me armë zjarri dhe dyshohet për të plagosur. Me të arritur në vend të ngjarjes, është konstatu se dy persona janë të lënduar. Janë dërguar në Qendrën e mjekësisë familjare pastaj janë dërguar në emergjencën e Pejës. Pas pak kohe, mjeku kujdestar e ka konfirmuar vdekjen e njërës viktimë”, tha Gashi.

Sipas raportimeve të mediave, i vrari dhe të plagosurit janë vëllezër mes vete. Ata raportohet se kishin dalë për iftar me familje në një restorant, në parkingun e të cilit edhe ndodhi rasti tragjik.

Këto detaje s’janë konfirmuar nga autoritetet./Express

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!