Gazment Bardhi deklaroi se Rithemelimi do të votojë pro amnistisë penale si një akt mëshire për të gjithë ata që përfitojnë. Nga Kuvendi, ai tha se përfitues janë edhe protestuesit e opozitës. Ai shtoi se nga amnistia përfitojnë një kategori njerëzish, që në një sistem tjetër drejtësie, nuk do të ishin fare në burg.
“Prandaj ne kemi vendosur ta votojmë pro amnistinë si një akt mëshire dhe mesazh të qartë që çdo deputet duhet të japë ndaj kësaj shtrese në nevojë që përfiton nga amnistia. E vërtetë ajo që tha ministri i drejtësisë që nuk përfitojnë ata që janë të dënuar për krime të rënda, por një kategori të dënuarish që në një sistem tjetër drejtësie ndoshta nuk do të ishin fare në burg. Sepse ka në burg njerëz që janë të dënuar për kundravajtje penale ndërkohë që kanë liri, meqenëse u përmendën dy subjektet e SPAK, dy janë gjyqtarët e dënuar deri më sot nga GJKKO. Këto të dy, me vendim gjykate, sipas propozimit të SPAK janë në liri.
Edhe pse janë dënuar me burgim i është pezulluar dënimi nga gjykata. Ftoj secilin koleg që përpara se të hedhë baltë mbi qëllimin dhe punën e secilit deputet në këtë sallë, bën mirë të lexojë ndonjë letër, të përcaktojë objektivat që dëshiron të arrijë secili prej ligjeve që votojnë deputetët dhe më pas të mbajnë qëndrimin. Çdo qëndrim i nxituar që nxjerr nga konteksti iniciativën apo amendamentet e kolegëve deputetë, përshfaq para syve të opinionit publik thjesht dhe vetëm gënjeshtër si metoda e vetme për të prodhuar pak politikë.”, tha Bardhi./abcnews.al