Kuvendi voton dy ministrat e rinj, Xhaçka dhe Peleshi në krye të Diplomacisë dhe Mbrojtjes

schedule17:31 - 4 Janar, 2021

schedule 17:31 - 4 Janar, 2021

Sesioni i ri parlamentar në Shqipëri nisi pasditen e sotme në 17:00 me votimin e dy ministrave të rinj pas lëvizjeve që kryeministri Edi Rama bëri në kabinetin qeveritar në fund të vitit të kaluar.

Kuvendi i mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme, ndryshe nga parashikimi për në 18 Janar, votoi emërimet e dy ministrave të rinj, Olta Xhaçkës në krye të diplomacisë shqiptare dhe Niko Peleshit në krye të Mbrojtjes.

Disa prej deputetëve të opozitës kërkuan fjalën në nisje të seancës, por kryetari i Kuvendit Ruçi ua preu shkurt, duke deklaruar se nuk ka diskutime, por vetëm votim për ministrat e rinj. “Nuk ka diskutim, vetëm votim” tha ai.

Në Kuvend u votuan 4 dekrete, dy për shkarkimet, Edi Rama si ministër i Jashtëm dhe Olta Xhaçka si ministre e Mbrojtjes dhe dy emërimet, Olta Xhaçka te Ministria e Jashtme dhe Niko Peleshi te Mbrojtja. Pro ministrave të rinj kanë votuar edhe deputetët e opozitës së re.

Votimet në Kuvend
Edi Rama shkarkohet si ministër i Jashtëm me 95 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim
Olta Xhaçka shkarkohet si ministre e Mbrojtjes 95 vota pro, 3 kundër dhe 1 abstenim
Olta Xhaçka votohet si ministre e Jashtme me 94 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim
Niko Peleshi votohet si ministër i Mbrojtjes me 94 vota pro, 3 kundër dhe 2 abstenim

Ndryshimet u firmosën nga kryeministri Rama në 29 dhjetor dhe Presidenti Meta i dekretoi ministrat e rinj dy ditë më pas. Por këto nuk ishin të vetmet.

Në fund të vitit që u mbyll Edi Rama zëvendësoi Sandër Lleshajn me Bledi Çuçin, lëvizje që erdhi pas protestave për vrasjen e të riut Klodian Rasha nga një efektiv policie, ndërsa te Ministria e Bujqësisë dërgoi Milva Ekonomin./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!