Vota “pro” e Bashës, as tradhti, as fitore politike

schedule14:41 - 11 Shkurt, 2022

schedule 14:41 - 11 Shkurt, 2022

Nga Mentor Kikia

Lulzim Basha u kryqëzua nga kundërshtarët e tij politikë në PD, sepse deputetët pjesës së partisë që drejtohet prej tij votuan pro zgjatjes së afatit të vetingut të gjykatësve dhe prokurorëve. Nga Berisha i pari, e më posjhtë, thanë se kjo është dëshmi se Basha është pjëse e mazhorancës së Ramës, se Basha po bashkëqeveris etj etj.

Ky presion e detyroi Bashën të gjejë një arsye qesharake në fund se përse votoi “pro”, duke thënë se Rama donte që vetingun ta vazhdonin KLP e KLGJ dhe unë me ambasadorët e shtymë afatin e KPK-së.

Në fakt ky është veprimi politik më “i pafajshëm” i Bashës. Edhe ata më agresivët në kritika, e dinë që vetingun nuk e shtyu Rama dhe Basha i dha një dorë. Sikundër e dinë, që reformën në drejtësi, nuk e bëri Parlamenti Shqiptar, ose më saktë e bëri Parlamenti Shqiptar nën presionin e fortë të ndërkombëtarëve.

Sot ne jemi koshientë që nuk është kjo drejtësia që prisnim nga reforma më e madhe në këtë sistem, që nga themlimi i shtetit shqiptar. Interferimet politike të mazhorancës lanë shtigje hapur për të deformuar shpesh standardet e vlerësimit të juristëve, ku për të njëjtën arsye dikush përjashtohet e dikush konfirmohet.

Por, edhe pse nuk është ajo që do të donim, drejtësia e re është gjithësesi më e mirë se ajo që kishim. Ndaj reforma në drejtësi është sot një rrugë me vetëm një drejtim. Me të mirat dhe të këqijat, ajo nuk ka kthim pas. Vetingu do të vazhdojë, me çdo kusht dhe çdo çmim.

Ndaj dhe afati i këtij procesi do të shtyhej. Lulzim Basha dhe të tijtë nuk kishin asnjë dyshim që do ta jepnin votën pro, derisa këtë ia kërkoi Ambasada e SHBA dhe Delegacioni i BE. Sepse Basha nuk e ka luksin të “bëjë trimin” ndërsa gjysma, apo më shumë, e partisë së tij nuk e mbështet më, dhe mbështetja ndërkombëtare është shkopi që e mban ende në këmbë.

Ndërsa Berisha nuk ka çfarë të prishë më shumë në raport me ndërkombëtarët, ndaj dhe e shfrytëzoi këtë rast si një mundësi për ta dobësuar Bashën edhe më shumë në bazën e PD-së.

Ndërsa koncensionet politike që Basha mori nga ky shkëmbim, si komisionet për rishikimin e sistemit zgjedhor apo ndarjes territoriale, janë thjeshtë mjete PR që iu dhanë për të mos mbetur pa asnjë mbrojtje përballë kundërshtarëve të tij në PD. Rama nuk do të bënte asnjë negociatë me Bashën, sepse e dinte që ai do ta votonte shtyrjen e vetingut.

Por një gjë është e sigurtë. Basha i bashkoi votat me Ramën, aq sa i bashkuan të gjitha partitë në Korrik 2016, kur në unanimitet votuan ndryshimet kushtetuese, ndërsa ambasadorët përqafoheshin në llozhën e sallës së parlamentit. Për këtë arsye, do të ishte më e ndershme që basha të pranonte se votën e dha pasi ai kështu mendon, sesa ta shesë si fitore politike. Sepse vota “pro” nuk është as tradhëti dhe as fitore politike.

Tek e fundit, votimi “pro” i një opozite, nuk duhet parë si tradhëti. Eshtë mëse normale që për çështje me rendësi të madhe për vendin dhe shoqërinë, votat edhe të bashkohen. Por në këtë vend, duket se është shndërruar në një “ligj” fakti se kundërshtarët politikë duhet të jenë patjetër edhe armiq, të cilët nuk duhet kurrë të bashkëpunojnë, madje as duhet të takohen apo të konunikojnë mes tyre.

E konfirmon këtë edhe histeria që u derdh para pak javësh kur një deputet i PD-së së Bashës, ishte fotografuar në një kafene në Vlorë, ndërsa kishte takur kryeministrin Rama dhe disa deputetë të PS-së. “Të shitur dhe tradhëtar”- e quajtën në mënyrë masive. Ndërsa vetë deputeti tha se kishte qenë një rastësi; U pamë në kafe dhe i përshëndeta. Nuk mendoja që është e ndaluar kjo… /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!