Vota për emigrantët, Shpëtim Idrizi: E mirëmenduar, PS s’kishte nevojë për votat tona. Integrimi nuk kalon nga Athina

schedule14:05 - 26 Shkurt, 2024

schedule 14:05 - 26 Shkurt, 2024

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi thotë se dhënia e votave të forcës politike që drejton për marrëveshjen e emigrantëve me Italinë, ishte e mirëmenduar.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Idrizi u shpreh se Partia Socialiste nuk kishte nevoja për vota, por nënvizoi se Italia është vend partner i Shqipërisë.

Sipas Idrizit, integrimi evropian i Shqipërisë kalon nga Roma, Berlini, Uashingtoni dhe jo nga Athina.

“Ne kemi 2 vite e gjysmë që presim sezoni që të fillojë opozita, sepse kemi parë luftë civile brenda Partisë Demokratike. Nuk më thotë gjë ky artikulim i tij. Mund të them që kur ata nuk arrijnë të pranojnë mendimin ndryshe brenda njëri-tjetrit, me njëri-tjetrin, mirëkuptoj që nuk mund të arrijnë të pranojnë një mendim ndryshe të një partie sovrane.

Dua të sqaroj që votimi për marrëveshjen me Italinë, ka qenë një veprim i mirëmenduar politik dhe gjeopolitik. Partia Socialiste nuk kishte nevojë për votat e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, sepse i kishin 74 vota. Pra, votimi ynë nuk është bashkim. Kjo marrëveshje do të kalonte dhe pa votat e PDIU. E kemi bërë, për të thënë që gjeopolitikisht, mendojmë që Italia është vendi i rëndësishëm, vend partner. Integrimi i Shqipërisë kalon nga Roma, Berlini, Uashingtoni, nuk kalon nga Athina. Është rasti për të treguar që jemi forca politike të përgjegjshme. Nëse këta do të ishin në pushtet, a do e votonin marrëveshjen? Do ta votonin. Kur bëhet fjalë për politike të jashtme, kombin e kemi bashkë.

Nga pikëpamja formale, opozita doli dhe deklaroi se nuk ishte kundra, por do e dërgonte në Gjykatën Kushtetuese. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk kishte asnjë barrierë nga pikëpamja ligjore dhe formale. Nuk kalon nga Athina integrimi evropian, kalon nga Roma, Berlini, Uashingtoni”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!