Mundësia për të votuar në presidencialet amerikane nëpërmjet një dokumenti të dërguar me postë, në kohë pandemie, është bërë vendimtare për fituesin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Janë të paktën 84 milion amerikanët që kanë zgjedhur këtë mënyrë.
Polemika për votën me postë është zhvilluar në shumë fronte, me Biden që u bënte apel të gjithëve të votonin dhe Trump që e cilësonte një mënyrë për të manipuluar rezultatin përfundimtar.
Ndërkohë që janë të shumtë shtetet ende të lëkundura, kandidati demokrat kërkon durim dhe pse flet për një rezultat pozitiv. por dhe presidenti amerikan Trump flet për fitore.
Një diferencë shumë e ngushtë siç ishte paralajmëruar, është ajo që ndan aktualisht Trump dhe Biden nga njëri tjetri. Të dy kandidatët kanë folur para mbështetësve të tyre, optimistë dhe të sigurtë për një fitore.
Biden në fjalën e tij të parë pas votimeve u shpreh se nuk mund ta vendosë as ai dhe as Trump se kush fiton në këto zgjedhje, pasi kjo përcaktohet vetëm nga populli.
Nga ana e tij Kreu i Shtëpisë së Bardhë Trump theksoi se ndodhet përpara rivalit demokrat dhe se nuk do të lejojë që të vjedhin zgjedhjet. Një deklaratë e bërë me anë të një mesazhi Twiter i cili është censuruar nga rrjeti social pasi nuk u konsiderua korrekt. menjëherë më pas Trump publikoi një mesazh tjetër duke thënë se ishte i bindur për fitoren.
Ndërkohë qindra njerëz janë mbledhur pranë Shtëpisë së Bardhë ku u regjistruan dhe disa përplasje mes mbështetësve të Trump dhe atyre që nuk e duan rizgjedhjen e tij. Mediat amerikane raportojnë për 3 të arrestuar.
Mbështetësit e Trump paralajmëruan se nuk do të lëvizin nëse ai nuk merr një mandat të dytë. biznese të ndryshme kanë marrë masat për trazira të mundshme duke mbuluar vitrina./abcnews.al