Von Der Leyen: Seksizmi duhet të trajtohet nga ana e BE-së

schedule20:54 - 26 Prill, 2021

schedule 20:54 - 26 Prill, 2021

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të hënën se trajtimi që iu bë asaj gjatë vizitës së fundit në Turqi, nënvizon nevojën që BE-ja të merret me çështjen e seksizmit.

Von der Leyen dhe shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, u takuan me Erdoganin më 6 prill. Mysafirët u çuan në një dhomë të madhe për bisedime, por atje ishin vendosur vetëm dy karrige për tre udhëheqësit. Atje u ulën dy burrat, ndërsa von der Leyen u ul në një divan të madh, larg homologëve të saj meshkuj.

“U ndjeva e lënduar dhe u ndjeva vetmuar, si grua, dhe si evropiane”, iu tha eurodeputetëve, Ursula von der Leyen.

Pjesa më e madhe e komenteve lidhur me këtë situatë është përqendruar në mashtrimet diplomatike të presidentit turk, Reccep Tayyip Erdogan, në dështimin për të siguruar një karrige për von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke qëndruar në këmbë derisa Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan zënë vendet në sallën e takimit në Ankara, Turqi 6 prill 2021.

“Unë jam gruaja e parë që jam Presidente e Komisionit Evropian. Unë jam Presidente e Komisionit Evropian. Kjo është mënyra se si prisja të trajtohesha kur vizitova Turqinë dy javë më parë, si një presidente komisioni, por nuk ndodhi kështu”, tha ajo.

Ajo tha se jo vetëm që respektimi i të drejtave të grave duhet të jetë “një parakusht për një rinisje të dialogut me Turqinë”, por që vetë Evropa duhet të punojë më shumë në këtë drejtim.

Ankaraja është kritikuar për tërheqje nga Konventa e Stambollit e cila synon ndalimin e dhunës ndaj grave por, siç kujtoi von der Leyen, edhe disa vende anëtare të BE-së nuk e kanë ratifikuar fare traktatin.

Presidentja e Komisionit Evropian tha se po përpiqet të gjejë një mënyrë që i gjithë blloku i BE-së të bashkohet me konventën, pavarësisht rezistencës nga disa kryeqytete./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!