Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se po merren masa të rrepta në të gjithë Europën për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Duke folur nga Brukseli mbi masat shtesë të nevojshme për të trajtuar pandeminë dhe një ditë para një telekonference që do bëjë bashkë 27 krerët e shteteve dhe qeverive të BE, Von Der Leyen foli për një “situatë shumë shqetësuese”.
Ajo bëri apel të shmangen mbledhjet me shumë njerëz dhe vende të populluara pa ajrosje. Sipas saj, situata është “shumë shqetësuese” në shumicën e shteteve anëtare të BE, duke paralajmëruar se rastet pritet të rriten me shpejtësi në 2-3 javët e ardhshme. “Krahasuar me valën e parë të pranverës, të gjitha Shtetet anëtare janë prekur”.
Komisioni europian pritet të sugjerojë që 27 vendet anëtare të BE të kenë një bashkëpunim të mëtejshëm në mënyrë që të gjendet një zgjidhje të përbashkët për pandeminë. “Ne jemi duke mobilizuar 100 milion euro nga instrumenti i ndihmës emergjente për blerjen e testeve të shpejta, të cilat do t’i shpërndajmë në vendet anëtare. Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve anëtare që të koordinojnë aplikimet për gjurmim me faqen e Koordinimit Evropian”, tha ajo.
Ajo theksoi që përjashtimi i TVSH-së për blerjet e vaksinave u zgjat për gjashtë muaj të tjerë, ndërsa në të njëjtën kohë të gjitha shtetet e BE duhet të punojnë së bashku për të pasur një sistem të përbashkët, Evropian, për të lehtësuar udhëtimin ajror, i cili do të ketë parametrat e mëposhtëm
* Protokolli i Përbashkët (PLF) për testimin e udhëtimit ajror
* Një kornizë e përbashkët europian për rregullat e karantinës
* Udhëzime të përbashkëta për udhëtarët në një bazë të dhënash dixhitale të përbashkët
Ndërkohë ajo paralajmëroi se këto krishtlindje do të jenë tërësisht ndryshme./mv. abcnews.al

