Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e bëri të qartë të premten se BE do të gjejë një zgjidhje për të ndihmuar Ukrainën.
Këto deklarata të Von der Leyen janë bërë pas vetos të ushtruar mbrëmjen e së enjtes, 14 dhjetor, nga kryeministri hungarez, Viktor Orbán, për një financim prej 50 miliardë eurosh në favor të Ukrainës.
Një samit i ardhshëm i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së në fillim të vitit 2024 pritet të lejojë lirimin e kësaj ndihme. “Deri atëherë, ne do ta shfrytëzojmë kohën për të siguruar që çfarëdo që të ndodhë, të kemi një zgjidhje operative gjatë kësaj seance”, theksoi kryetarja e Komisionit.
“Ne po punojmë shumë, natyrisht, për të arritur një marrëveshje mes 27 vendeve anëtare. Por unë mendoj se është gjithashtu e nevojshme të përpunohen alternativat e mundshme, në mënyrë që të kemi një zgjidhje operacionale në rast se një marrëveshje prej 27 nuk është e mundur”, shpjegoi von de Leyen gjatë një konference për shtyp në fund të Samitit Evropian./abcnews.al