Shiroka nuk është e bukur vetëm në verë, por në çdo stinë. Vetëm katër kilometra larg qytetit të Shkodrës, në bregun e Liqenit dhe rrëzë Taraboshit, pika turistike e Shirokës pret e përcjell vizitore çdo fundjavë.
Së fundmi Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka investuar në këtë zonë për t’i dhënë pamjen që të ofron sot.
Projekti, i realizuar në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës, nisi në vitin 2018 për të përfunduar në verën e 2020. I gjithë investimi i kryer ishte 3 miliardë lekë.
Ky është vetëm fillimi i një serie investimesh ne kryeqendrën e veriut. 23 milion euro investim nga BERZH, qe pritet t’i jepen Bashkisë së Shkodrës, do të shkojnë për disa projekte në këtë zonë.
Në një intervistë për ABC News, kryebashkiakja Voltana Ademi ka rrëfyer se në 5 vite te drejtimit te bashkisë nga ana e saj, ky është projekti më i rëndësishëm, për qytetin e Shkodrës. Ademi tregon se si do të ndahet ky fond prej 23 milion eurosh.
“Në total janë 23 milion euro që shkojnë kryesisht për Shirokën dhe Zogajn, përfshirë jo vetëm rikualifikimin urban të liqenit, përfshirë edhe ujin e pijshëm dhe ujërat e zeza, të hyrjes dhe të gjithë zonës deri në Zogaj dhe muzeun.
Rrugën që vijon nga Shiroka në Zogaj drejtë kufirit me Malin e Zi për ta mundësuar këtë në saje të një bashkëpunimi në kuadër të projekteve europiane po financohen në partneritet me Malin e Zi. Për të vijuar pastaj edhe me hyrjen që lidh Shkodrën me Shirokën.
Rikualifikimin e kodrinave dhe krijimin e mundësive për shëtitjen me biçikleta dhe për këmbësorë në malin e Taraboshit, krijimin e muzeut të ri këtu në Shirokë të ujit, për florën dhe për faunën, për zogjtë, një pasuri”, shprehet Ademi.
Një projekt madhor që ka filluar të bëhet realitet. Voltana Ademi tha se bashkia që ajo drejton është në prag të firmosjes së kësaj marrëveshje shumë të rëndësishme, me Berzh, që pritet të finalizohet në fund të muajit gusht.
“Për ne është shumë e rëndësishme që të investojmë në fushën e turizmit, po shohim mundësin edhe të krijimit të partneriteteve për investitor privat që vijnë të investojnë në sajë të planit të përgjithshëm vendor që ne kemi hartuar për Shkodrën”, thotë kryebashkiakja.
Kryebashkiakia nuk preferon t’i krahasojë investimet që po bëhen në Shkodër me ato të qyteteve të tjera, por me pika të rëndësishme turistike siç është Thethi e Velipoja.
Për të ato janë zona që kanë prioritet dhe krijojnë mundësi për hartimin e planeve të detajuara për transformimin e qytetit, por pa u humbur identiteti.
Të gjitha këto investime janë një shtysë mjaft e mire për turizmin dhe ekonominë e vendit. Këto investime për kryebashkiaken Ademi janë edhe një mundësi për rimëkëmbjen ekonomike të Shkodrës.
“Kemi bërë shumë, jo vetëm investimin por edhe për ti dhënë mundësi ekonomisë tonë për të punuar më shumë. Ne gjykojmë që ekonomia është mundësia jonë reale për të zhvilluar lokalitetin tonë.
Shkodra e ofron këtë potencial, dhe fakti qe ne jemi edhe në një periudhë pandemie Shkodra mikpret turistë të huaj, emigrantë që kthehen në vendin e vet rishtazi, sigurisht të gjithë Shqiptarët që vijnë nga trevat nga jashtë Shqipërisë dhe mendojë që ky është një potencial që ne po përpiqemi që tashmë ta bëjmë realitet, në sajë të investimeve që ne kemi arritur të thithim”, thotë ajo.
Investime të rëndësishme pritet të ketë edhe në Kulture.
“Kemi parashikuar edhe mundësinë e ndërhyrjes tek kalaja Rozafa për një menaxhim dhe për ofrim të shërbimeve më të mira atje sepse ka nevojë. Dhe ndërkohë edhe për një muze të arteve pamore të cilin ne e kemi projektuar dhe do të investohet në qendër të qytetit të Shkodrës”, përfundon Ademi.
Rehabilitimi i bregut të Liqenit të Shkodrës dhe qendrës Zogaj.
Ndërhyrja në kodrat përreth Shirokës dhe përmirësimi i peisazhit dhe lidhjes ndërmjet qytetit dhe bregut perëndimor të Liqenit të Shkodrës janë të tjera ndërhyrje të rëndësishme që pritet të realizojë bashkia e këtij qyteti./abcnews.al