Volejboll/ Tirana merr finalen e parë, “Bardheblutë” mundin Partizanin 3 me 1 në derbi

schedule16:56 - 23 Prill, 2024

schedule 16:56 - 23 Prill, 2024

Nuk i respektoi parashikimet. Një e papritur mund të thuhet se ndodhi në finalen e parë për titull kampion në volejboll për meshkuj, me “Bardheblutë” e Tiranës, që mundën me rezultatin e thellë, 3 me 1, rivalët e tyre të përjetshëm, Partizanin, në finalen e parë të kompeticionit, duke hedhur kështu një hap të sigurtë drejt mbrojtjes së kurorës.

Sfida e parë e finaleve të “play-off” u luajt në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, në atë që quhej fusha e Partizanit, pasi “Të Kuqtë” dolën të parët në fazën e rregullt të sezonit, gjithsesi, kjo nuk e pengoi skuadrën bardheblu të trajnerit Arben Sako, edhe pse kundërshtari e nisi më mirë derbin.

Të besuarit e teknikut të njohur Ylli Tomori fituan setin e parë 25-21, por pastaj “Bardheblutë” u përgjigjën, me kampionët në fuqi të vendit, që morën radhazi tre sete, me rezultatin 25-20, 25-21 dhe 26-24. Fundi ishte shumë i ekuilibruar, veçse Partizani nuk mundi ta çonte ndeshjen në setin final.

Vlen të theksohet se “Të Kuqtë” fituan këtë sezon Kupën e Shqipërisë, duke mundur në finale pikërisht rivalin brenda kryeqytetit. Finalja e dytë e “play-off” do të luhet në 25 prill në Sallën Sportive në Farkë, dhe Tirana synon të fitojë titullin e tretë radhazi. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!