Volejboll meshkuj/ Polonia fiton Ligën e Kombeve, evropianët triumfojnë në shtëpi ndaj SHBA

schedule20:36 - 24 Korrik, 2023

schedule 20:36 - 24 Korrik, 2023

Polonia realizoi një tjetër arritje të madhe në volejboll për meshkuj duke triumfuar në Ligën e Kombeve.

Skuadra europiane ia doli në një finale të fortë ndaj SHBA në Arenën e qytetit Gdansk, ku mbi 11 000 tifozë e mbështetën nga fillimi deri në fund.

Fitorja ishte 3-1, dhe rezultati I seteve 25-23, 24-26, 25-18 e 25-18, dhe polakët arritën tek ari pasi kishin fituar një medalje argjendi dhe dy bronzi në edicionet e kaluara të Ligës së Kombeve.

Vetëm amerikanët, rivalët e mundur në këtë finale, kanë kaq medalje në 5 Liga të luajtura deri tani.

Polonia përballoi mungesën e kapitenit të dëmtuar, Bartosh Kurek, dhe më I dalluari ishte Lukash Kaçmarek.

Volejbollisti 29-vjeçar ishte I papërballueshëm duke dalë shënuesi më I mirë në finale me 25 pikë.

Gjashtë lojtarë ishin nga ekipi që fitoi Kupën e Botës në 2018, gjë që flet për përvojën dhe potencialin e madh të kampionëve të rinj.

Polonia është një nga skuadrat më të mira në historinë e volejbollit të djemve me 6 medalje ari, 11 argjendi dhe 8 bronzi, përfshi titullin olimpik në 1976, tre tituj botërorë dhe një kampionat europian.

Vendin e tretë në Ligën e Kombeve e mori Japonia që mundi 3-2 kampionen e botës në fuqi, Italinë, ndonëse e gjitha lavdia ishte për ekipin vendas polak. /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!