Albana Vokshi nuk e njeh vendimin e Lulzim Bashës dhe Kryesisë për përjashtimin e saj nga Partia Demokratike. Në një intervistë për Abc Live, Vokshi tha se Basha nuk përjashton dot.
“Më përjashtoi shoqata e Lulzim Bashës. Do jem anëtare e PD pasi Basha nuk më përjashton dot”, tha ajo.
Duke komentuar protestën e 8 janarit, Vokshi thotë se ka qenë me Sali Berishën deri në fund.
“Unë kam qenë me zotin Berisha deri në fund nuk jam larguar në asnjë moment. Nuk jemi larguar, kam qenë aty me demokratët”, thotë ajo.
Vokshi akuzon Bashën dhe mbështetësit e tij për dhunë në 8 janar. Sipas saj, demokratët e vërtetë ishin poshtë me të dhe Sali Berishën.
“Është e vërtetë ajo që thotë zoti Alibali pjesa më e madhe e tyre nuk kanë përfituar asgjë. Një pjesë e madhe si Lulzim Basha që ka përfituar më shumë nga PD, e lejuan dhunën, mbyllën sytë para njerëzve të armatosur dhe bombola. Demokratët e thjeshtë ishin atje poshtë me mua dhe Berishën. Këtë po mundohet të fshehë Basha dhunë e paprecedentë ndaj anëtarësisë. Bashkë me Ramën urdhërojnë dhunë ndaj demokratëve që duan të hyjnë në shtëpinë e tyre”, u shpreh ajo.
Teksa komenton sërish vendimin e fundit, Vokshi e cilëson si nul, ndërsa thotë se neni i përjashtimit është futur nga Lulzim Basha dy vite më parë.
“Nenin e përjashtimin e ka futur Basha para dy viteve. Ne e kemi kundërshtuar, por është miratuar me votat e Bashës brenda kryesisë. Lulzim Basha është në mision për të shkatërruar PD dhe opozitën. Data 8 evidentoi kush është opozita reale dhe kush është palë me pushtetin. Vendimi është nul, ai është një organ i shkarkuar”, u shpreh ajo, ndërsa shtoi se është penduar që ka mbështetur Bashën gjatë këtyre viteve. g.v/abcnews.al