Një 25-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë në Mirditë, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i Ligjit”. Mësohet se i riut i janë gjetur në makinë një pal targa makine të vjedhura, të cilat dyshohet se do t’i përdorte për qëllime kriminale.
Sakaq, policia i sekuestroi dhe automjetin tip ‘Golf
Njoftimi i Policisë:
Mirditë/Kontrolle të befasishme, në bazë të punës së inteligjencës policore, në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për goditjen e paligjshmërive, në të gjitha format e shfaqjes së tyre.
Iu gjetën në automjet, targa të vjedhura një ditë më parë, në Mirditë, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për qëllime kriminale, arrestohet në flagrancë 25-vjeçari.
Sekuestrohen targat dhe automjeti që drejtonte i arrestuari.
Si rezultat i punës së inteligjencës policore, kontrolleve dhe hetimeve që po kryhen me intensitet nga Policia e qarkut Lezhë, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë kanë goditur një rast të vjedhjes së targave të automjeteve, për t’i përdorur për qëllime kriminale. Për rastin u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi 25 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë së Mirditës, në bashkëpunim me ato të Policisë së Kukësit, kanë ndaluar në aksin rrugor “Krumë-Kukës”, automjetin tip “Golf” që drejtonte ky shtetas. Nga kontrollet në brendësi të automjetit u gjet një palë targa automjeti, që ishin denoncuar të vjedhura një ditë më parë, nga shtetasi banues në Mirditë, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për qëllime kriminale.
Targat u sekuestruan nga Policia, së bashku me automjetin tip “Golf”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al