Vodhi shokun, mund të bëjë çdo të ligë: Auron Tare reagon pasi i nxorën dosjen e sigurimit

schedule09:39 - 17 Korrik, 2020

schedule 09:39 - 17 Korrik, 2020

Auron Tare dhe Ardian Ndreca kanë vijuar përplasjen e tyre virtuale. Që pas publikimit të studimin për Martin Camajn dhe Ernest Koliqin, Ndreca e Tare kanë replikuar disa herë duke hedhur dhe akuza kundër njëri-tjetrit.

Sot Akademiku ka publikuar një dokument ku akuzon studiuesin se në vitin 1985 i kishte vjedhur një shoku një sasi parash. “Auron Isa Tare, nxënës në shkollën “Skëndërbej” Dega e SIg.Garnizonit me shkresën Nr.221 datë 20.5.1986 nuk është dakort, pasi gjatë kohës në shkollë ka manifestuar çfaqje të huaja, ndjek modën e huaj. 

Në vitin 1985 i ka vjedhur një shoku të tij 100 lekë. Në muajin prill 1986 Auroni ka sjellë në shkollë një revistë angleze me fotografi pornografike. Auroni është njeri që mund të bëjë çdo veprim negativ”, është kjo përmbajtja e dokumentit.

Ndreca bashkë me një faksimile të një dosje të Ish-Sigurimit të Shtetit shkruan se Tare ka qenë subjekt gjykimesh.

Vlera e atyne dokumenteve duhet relativizue tue u nisë prej besueshmënisë, inteligjencës dhe etikës së institucionit që i ka prodhue. Kjo që them do t’i vinte për mbarë edhe vetë Tares, pse edhe ai ka qenë subjekt gjykimesh i asaj haleje. 

Por, sot, Martin Camaj nuk asht mes nesh për me u mbrojtë për atë firmën e hjedhun para oficer Kapisyzit, kurse Tarja mundet me spjegue dhe me u mbrojtë. Po të mos ishte për atë krahun me të cilin u rreshtuen pa ngurrue si Koliqi si Camaj, Tarja vetë sot do të ishte tue i ba fresk ndonji kundërajrori të ndryshkun tue pritë me veshë ngrehë tartarët si ai personazhi i Dino Buzzatit.

Tarja s’mund ta dijnë, pse as skuthët që ia kalojnë kontrabandë dokumentet s’e dijnë për vete, se koloneli i UDB-ës Čedo Mijović kërcënonte të gjithë ata që tregonin kokëfortësi se mbrenda 24 orësh do të dorëzoheshin në Han të Hotit dhe koloneli malazez ishte njeri që e mbante fjalën dhe madje e fliste shqipen rrjedhshëm.

Disa bashkëpunonin pse donin me dalë sa ma parë në Perëndim, të tjerë se urrenin regjimin e Tiranës e të tjerë pse ishin të lidhun historikisht me Jugosllavinë. Janë kategori të ndryshme që s’i lidh asgja, përveç fatit që ishin në duert e Čedo Mijović apo të majorit Kaplar Ljubović”, shkruan ndër të tjera Ardian Ndreca, për gazetën TemA.

Pak orë pas publikimit të këtij dokumenti ka ardhur dhe reagimi nga studiuesi Auron Tare. Në një postim në mediat sociale, Tare shkruan se ai konfirmon saktësinë e dosjes së Sigurimit dhe shton se ka lexuar literaturë angleze. Më tej ai shton ka folur kundër atij regjimi dhe është tallur me regjimin në atë kohë, pasi nuk i jepnin të drejtë për të dalë jashtë shtetit.

“Duke e falenderua Zotin Ndreca/Marku nga zemra pasi kishte vite qe e kerkoja dhe nuk e gjeja dosjen time te Sigurimit. Ju falenderoj zoti Adrian dhe dua tju konfirmoj se ne fakt dosjet e Sigurimit te Shtetit kane qene shume te sakta. Une e konfirmoj kete informacion 100% . Po kam pasur shfaqje te huaja, po lexoja literature angleze qe ne ate kohe. Nuk besoj se Ndreca/Marku e kupton se cdo te thote te mesosh anglisht ne ate kohe. Po kam sjelle ne shkolle nje reviste te huaj e cila kishte balerina dhe po ai qe me spiunoi ju duken si “porno”.

Po flisja kunder rregjimit dhe tallesha me ate rregjim. Po ishe negativ per ate rregjim dhe nuk me jepnin te drejten te dilaj jashte shtetit. Te gjitha cfare thote Dosja jane super te verteta. Me nje shenim te vogel ai i Sigurimit nuk ishte i sakte. Nuk ishin 100 lek po 50 lek dhe atij shokut ja kisha fitu ne loje me letra por nuk mi jepte. U detyrova ja mora me force. Pra zoti Ndreca/Marku te falenderoj shume per kete pasazh nga Dosja ime dhe qe me konfirmove qe kjo Dosje egziston se deri me tani nuk ma jepte kush. Plus me konfirmon qartesisht ate qe mendoja se Z Ndreca/Marku ka pasur lidhje te hershme me Sigurimin e Shtetit. Megjithate ende z Ndreca/Marku nuk e ka shpjegu rolin e Komitetit te Prizrenit dhe Gjeneral Mugoshen”, shkruan Tare.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!