VOA: Rimbursime të pakta për qytetarët e prekur nga Covid-19 gjatë pandemisë

schedule22:06 - 23 Shtator, 2021

schedule 22:06 - 23 Shtator, 2021

Në këto studime theksohet se të sëmurët me Covid-19, që u kuruan në shtëpi gjatë 15 muajve të pandemisë u përballën me kosto të larta për mjekime nga fondet e veta, duke shpenzuar së paku 1 mijë dollarë për person.

Ekspertët vërejtën se paketa e rimbursimit nga qeveria për shpenzimet ndau vetëm afro 40 dollarë për person.

Në monitorimet e organizatës “Together for Life” dhe Fondacionit Westminster për Demokraci në Shqipëri, për rimbursimin e mjekimeve të Covid-19 për periudhën 9 mujore shtator 2020-maj 2021, thuhet se paketa e rimbursimeve qeveritare për qytetarë të COVIDIT nuk pati ndikim te të sëmurët.

Ata harxhuan nga portofoli familjar afro 1 mijë dollarë secili, por rimbursimi ishte vetëm 40 dollarë për vetëm 1 mijë e 708 persona.

“Raporti vëren se sipas deklarimeve zyrtare, të paktën 4.7% e popullsisë ishte e infektuar nga Covid-19 deri në maj të këtij viti, ndërsa popullsia që ka marrë rimbursim për shpenzimet e kurimit nga Covid-19 është 0.25%. Ekspertët theksojnë se shpenzimet për trajtimin e sëmundjes ishin 10 deri 20 herë më larta se fondet e përfituara nga rimbursimi” – thotë Denisa Canameti, eksperte e organizatës “Together for Life”.

Në një raport të dytë mbi monitorimin e buxhetit të shëndetësisë në 9 muajt e fundit, autorët theksojnë se Pandemia nuk po ushtron presion të lartë për fonde shtesë në buxhet,

Por ata vërejnë se shpenzimet në sektorin e shëndetësisë në dy vitet e fundit janë rritur me ritme më të ulëta se shpenzimet e përgjithshme buxhetore.

Buxheti i shtetit i këtij viti parashikoi një rënie të lehtë (0.2%) në shpenzimet totale për financimin e sektorit të shëndetësisë.

Vitin e kaluar sektori i shëndetësisë zinte vetëm 7.4 për qind të shpenzimeve totale buxhetore, me një rënie të lehtë nga viti 2018, ndonëse pandemia shënoi dy valë të rënda infektimesh në gusht dhe nëntor.

“Përvoja tregoi se jo spitalet por parandalimi i përhapjes së koronavirusit është mjeti kryesor në përballimin e pandemisë. Pra, fondet e dhëna për vaksinat janë fonde për parandalimin e sëmundjes. Fillimisht nuk kishte protokolle. Njerëzit e shqetësuar për shëndetin u shtynë të merrnin mjekime vet. Ministria e shëndetësisë ka bërë disa protokolle, dhe ministria financon ato protokolle të bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nuk mund të jetë përgjegjëse nëse erdhën më shumë medikamente. Ato nuk janë përdorur të gjitha ashtu si duhet. Njerëzit pa dashur kanë përdorur jashtë rregullave edhe medikamente, që u kanë edhe keq” – thotë zëvendësministrja e shëndetësisë, Mira rakacolli, njëkohësisht drejtuese e Komitetit Teknik kundër Pandemisë.

Analistët vërejnë se fondet për shëndetësinë kanë ardhur në rënie dy vitet e fundit në raport me totalin e buxhetit të shtetit.

Shpenzimet për përballimin e pandemisë ne aspektin shëndetësor pritet të jenë sa 12,6 % e totalit të buxhetit të sektorit të shëndetësisë për dy vitet 2020 dhe 2021.

Raporti i monitorimit të buxhetit vëren se nga fondet për krizën shëndetësore vitin e kaluar një pjesë e madhe 38 për qind shkuan për pajisje mbrojtëse për stafet mjekësore dhe shumë pak për të përmirësuar shërbimet ndaj pacientëve./VOA