VMRO-DPMNE bën spastrime, përjashtohen nënkryetari dhe disa anëtarë

schedule10:48 - 23 Tetor, 2018

schedule 10:48 - 23 Tetor, 2018

Forca kryesore opozitare në Maqedoni, djathtistja VMRO-DPMNE,ka hapur mbrëmjen e së hënës një front spastrimi të radhëve të veta që duket se ka për ta çuar përfundimisht larg shinave të një të djathte moderne evropiane.Pas përjashtimit të shtatë deputetëve të cilët votuan pro fillimit të ndryshimit të Kushtetutës, për t’i hapur kështu rrugë zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, Komiteti Qendror i kësaj partie ka kërkuar edhe përjashtimin Sasho Mijalkovit, ish-shefit të policisë sekrete dhe një ndër anëtarët me stazh më të gjatë partiak dhe të ish-ministrit të Shëndetësisë, Nikola Todorov. Gjithashtu, Mitko Jançev është shkarkuar nga posti i nënkryetarit. Nga Komiteti Ekzekutiv i Partisë është shkarkuar edhe Kostadin Bogdanov.

Këto masa të rrepta janë arsyetuar me, sikurse thuhet, bashkëpunimin e fuqishëm me kryeministrin Zoran Zaev dhe për shkak të veprimeve të organizuara për shantazh, kërcënime dhe blerje të deputetëve të VMRO-DPMNE-së me qëllim të votimit të ndryshimeve kushtetuese. Nënkryetari i kësaj partie, Aleksandar Nikolovski, mbrëmë vonë, bëri të ditur se shefi i partisë Hristijan Mickovski kishte kërkuar, por kjo njëzëri ishte hedhur poshtë, mbajtjen e Kongresit të jashtëzakonshëm për t’iu nënshtruar edhe vet një votëbesimi.

Njohësit e rrethanave thonë se ditëve në vazhdim kanë për t’u përshkallëzuar fërkimet e brendshme, aq më tepër për shkak të mospajtimit me veprimet e fundit sanksionuese të cilat, sikurse shprehet Ilija Dimovski, deputet dhe deri vonë një ndër eksponentët kryesorë të VMRO-DPMNE-së, e çojnë partinë drejtë izolimit.

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Metju Palmer, gjatë vizitës së të hënës në Shkup, bëri të ditur se për shkak të pikëpamjeve të ndryshme lidhur me gjendjen aktuale në Maqedoni kishte anashkaluar qëllimisht takimin me kreun e VMRO-DPMNE-së, Mickovski, si dhe shefin e Shtetit Gjorge Ivanov./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!