Vlorë, pastrim pas përmbytjeve/ Bashkia e qytetit kërkon bashkëpunim nga qytetarët

schedule15:31 - 1 Nëntor, 2024

schedule 15:31 - 1 Nëntor, 2024

Afro një muaj pas përmbytjeve në Vlorë ku nga reshjet e shiut u përmbyten rrugë, lagje e qendra historike dhe u shkaktuan dëme të mëdha në biznese e banesa, Bashkia e Vlorës nisi të premten një aksion pastrimi dhe larje rrugësh.

Nëpërmjet një njoftimi ku kërkonte edhe mbështetjen e qytetarëve në këtë aksion, Bashkia e Vlorës ka dalë në orët e para të mëngjesit për larjen e rrugëve dhe pastrimin e tyre.

Sipas kryebashkiakut Ermal Dredha ky është dhe një sensibilizim për qytetarët. Ai theksoi se në mbështetje për këtë aksion pastrimi kanë ardhur edhe mjete nga bashkitë e tjera.

“Edhe pse situata u përmirësua pamë prezencë pluhuri ndaj nisëm këtë aksion pastrimi. Aksioni do të jetë deri në darkë në të gjitha segmentet dhe lagjet. Zjarrfikëset, botët dhe mjetet e ardhura nga Bashkitë e tjera kanë ardhur dhe u janë përgjigjur thirrjeve tona”, tha kryebashkiaku Ermal Dredha.

Ky aksion vjen pasi 1 javë më parë Prefekti i Vlorës në mbledhjen e organizuar ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet e Vlorës, ndërsa tha se do kërkojnë ndihmë dhe bashkitë e tjera./abcnews.al