Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka vizituar Sirinë ku është takuar me presidentin, Bashar al-Asad. Vizita e Putinit ishte e pa paralajmëruar më herët, ndërsa ende nuk ka informacione të detajuara mbi axhendën e kreut të shtetit rus gjatë kësaj vizite.
Rusia është aleati kryesor i presidentit sirian Bashar al –Asad, forcat ushtarake të të cilit po luftojnë kundër rebelëve që kundërshtojnë regjimin e tij.
Gjatë takimit të tyre, Putin mësohet ti ketë thënë Asadit se “shenjat e jetës paqësore janë të dukshme me sy të lirë në rrugët e Damaskut”.
Ai gjithashtu theksoi se tani mund të thuhet me siguri se “tashmë është kaluar vështirësia më e madhe në rrugën e rivendosjes së shtetësisë dhe integritetit territorial të Sirisë”.
Asad falënderoi Putinin dhe ushtrinë e vendit për mbështetjen për rivendosjen e paqes në vend.
Udhëheqësi rus është planifikuar të vizitojë disa vende të tjera gjatë qëndrimit të tij në Siri, por zëdhënësi i Putin nuk ka zbuluar detaje të tjera rreth vizitës së Putin.
Udhëtimi i fundit i Putinit në Siri ndodhi në vitin 2017 kur ai inspektoi bazën ajrore Khmeimim të vendit në Provincën perëndimore Latakia./abcnews.al