VKM-ja për Kopshtin Botanik, Koni: Shkel hapur autonominë e universitetit

schedule18:44 - 19 Shtator, 2019

schedule 18:44 - 19 Shtator, 2019

Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, në një deklaratë për shtyp reagoi në lidhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave, ku Kopshti Botanik i kalon në pronësi Bashkisë së Tiranës. Sipas Konit, ky vendim shkel hapur autonominë e universitetit.

“Dëshiroj të theksoj me forcë se, marrja e këtij Vendimi është në shkelje të hapur të autonomisë të Universitetit të Tiranës dhe në kundërshtim të plotë me ligjin e arsimit të lartë 80/2015”, thotë Koni.

Sipas tij, procedura në lidhje me këtë çështje është e parregullt nga ana ligjore, por edhe me mungesë transparence nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit.

Sipas Rektorit të UT, pas pushimeve verore është thirrur Senati Akademik, ku një ndër pikat e diskutimit ka qenë shqyrtimi dhe mbajtja e një qëndrimi ndaj kësaj VKM-je. Por në këtë mbledhje nuk u arrit asnjë përfundim. Përsëri, Koni caktoi datën 19 Shtator, për mbledhjen e Senatit Akademik.

“Në këtë mbledhje, disa anëtarë të Senatit Akademik, kërkuan të thërriteshin përfaqësues të Bashkisë Tiranë, në mënyrë që, sipas tyre, të dëgjoheshin se çfarë do të bëhej konkretisht në Kopshtin Botanik, ndërkohë që VKM, tashmë ka hyrë në fuqi dhe sipas saj, Universitetit të Tiranës, i hiqet prona me emërtimin “Kopshti Botanik” dhe i kalon në pronësi Bashkisë Tiranë, duke i hequr përfundimisht edhe të drejtën e administrimit nga UT të kësaj prone.

Në mënyrë të përsëritur, disa anëtarë të Senatit Akademik, duke përdorur përsëri artifica, me një sjellje aspak të denjë për një anëtar të Senatit Akademik, si organi kolegjial më i lartë akademik i UT, i cili është përgjegjës për përmbushjen e misionit të institucionit, bënë që përsëri, Senati Akademik i UT, të mos dilte me një qëndrim zyrtar në lidhje me VKM nr.510 datë 17.07.2019.

Fatkeqësisht kjo është e vërteta dhe ajo çfarë ndodh në Senatin Akademik të UT, edhe kur bëhet fjalë për marrje apo tjetërsim të pronave të UT dhe të ambjenteve të pedagogëve dhe studentëve të UT, në kushedi çfarë…. koha do ta tregojë shumë shpejt”, thotë Koni.

Ndër të tjera, Rektori i Universitetit të Tiranës thotë se do të vazhdojë ta kundërshtojë këtë VKM-në deri në anullimin e tij.

“Të gjithë autorët dhe bashkëautorët që kanë marrë pjesë në këtë maskaradë, dua t’i siguroj se një ditë, do të japin llogari dhe do të përgjigjen jo vetëm para ligjit, por edhe para fëmijëve apo nipërve të tyre; apo edhe ata që nuk reaguan apo nuk ngritën zërin për ta ndalur atë, dhe me veprimet apo mosveprimet e tyre, bën që të vetmin Kopësht Botanik, me vlera unikale dhe të pazendësueshme, e lejuan të mos jetë më i tillë”, përfundon deklaratën e tij Mynyr Koni.

Një ditë më parë, Partia Demokratike i bën thirrje Senatit Akademik, që të mos miratojë kalimin e pronësisë së kopshtit botanik nga fakulteti i shkencave të Natyrës, tek Bashkia e Tiranës. Ish-deputeti Luçiano Boçi tha se kjo bëhet me qëllime korruptive./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!