Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i cilëson zgjedhjet ndihmë për demokracinë e vendit. Duke folur për mediat në konferencë të përbashkët me presidentin Ilir Meta, Osmani tha se nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë me institucionet në Kosovë, por shtoi se cilado të jetë zgjidhja duhet trajtuar me maturi.
“Tani, ju e dini që politika në Kosovë mund të jetë e paparashikueshme. Unë e kam të vështirë të them se çfarë do të ndodhë. Do të shihet nëse forcat politike mund të zgjedhin një president të ri. Nuk duhet ta shohim zgjedhjet si diçka që e dëmtojnë vendin por që ndihmojnë demokracinë.
Cilado të jetë zgjidhja, ne duhet t’i trajtojmë situatat me maturi. Nëse shkohet në zgjedhje ajo do të ndihmonte për fuqizim të demokracisë. Kur në Kuvend nuk ka shumicë parlamentare duhet të gjejmë zgjidhje tjetër. Besoj se shumë shpejt do të ketë qartësi se çfarë rruge na pret”, deklaroi Vjosa Osmani.
Në mbyllje të konferencës, Osmani ftoi Metën në Kosovën për të bërë një vizitë në kullën e Isa Boletinit. “Ju mirëpresim në Kosovë në një vizitë të veçantë në kullën e Isa Boletinit të Kosovës”, u shpreh Osmani./mv.abcnews.al