Vjosa Osmani: Modeli aktual për pakicat, më i mirë se 15 modelet e propozuara

schedule15:18 - 14 Mars, 2023

schedule 15:18 - 14 Mars, 2023

Presidentja Vjosa Osmani është shprehur se model aktuale që ka Kosova për pakicat është më i miri sesa ato 15 modelet e propozuara nga emisari i Bashkimit Evropian për dialog , Miroslav Lajçak.

Ajo tha se Kosova është e gatshme t’i diskutojë këto modele evropiane por jo diçka që rrezikon e cenon funksionimin demokratik të vendit. Këto komente, presidentja Osmani i bëri pas pjesëmarrjes në edicionin e dhjetë të Javës së Gruas që po organizohet nga NDI.

“Ne i kemi analizuar të gjithë këto modele dhe natyrisht ka elemente që mund të merren prej secilës prej tyre, por unë do të thosha sërish që modeli shumë më i mirë se të gjitha ato 15 është modeli aktual që e ka Republika e Kosovës”, tha ajo.

Sa i takon pritshmërive për takimin e 18 marsit në Ohër, shefja e shtetit, Vjosa Osmani tha se pret nga që faktori ndërkombëtar të bëjë presion mbi Serbinë, që ta bindë kreun e shtetit serb që takimi i Ohrit është momentum i jashtëzakonshëm për të zgjidhur shumë çështje të hapura.

Lidhur me nenin 7, Osmani tha se Kosova ka pranuar koncesione në kudër të kësaj marrëveshje bazë, por që ky nen do të zbërthehet tani në aneksin e zbatimit.

Neni 7 i planit evropian thotë se “të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

Osmani shtoi se angazhimi i Kosovës është që me këtë nen, pakicave t’u garantohen të drejta por pa u rrezikuar Kushtetua, integriteti dhe sovraniteti i vendit. Shefja e shtetit ka folur edhe për organizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës për çka tha se institucionet e sigurisë po bëjnë përpjekje që të ketë siguri të mjaftueshme për qytetarët në ditën e zgjedhjeve.

Për gjyqtarët e dorëhequr vitin e kaluar, por edhe zyrtarët tjerë, ajo tha se po bëjnë përpjekje demokratike që t’i bindin t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre që garantohen me Kushtetutë. Osmani tutje shtoi se nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës deri më tani nuk ka pranuar ndonjë letër që ka të bëjë me dorëheqjet e gjyqtarëve serbë në veri.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!