Vjosa Osmani i kërkon ministrit grek të njohin Kosovën

schedule17:34 - 4 Qershor, 2021

schedule 17:34 - 4 Qershor, 2021

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Osmani në takim me ministrin grek deklaroi se vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy shteteve, do të kontribuonte në zhvillimin e rajonit.

“Sot prita ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë Nikos Dendias dhe përsërita se vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes të Kosovës dhe Greqisë do të kontribuonte në zhvillimin e rajonit tonë dhe për paqen e qëndrueshme. Pres që të forcojmë edhe më tej lidhjet dypalëshe në vitet në vijim”, ka shkruar Osmani në një postim në “Twitter”.

Detaje për takimin mes Osmanit dhe ministrit të jashtëm grek kanë dhënë edhe nga Presidenca.

Në një njoftim për media thuhet se presidentja Osmani ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve janë të mira dhe ka potencuar se njohja e Kosovës nga Greqia do t`i thellojë edhe më tej marrëdhëniet bilaterale e multilaterale ndërmjet të dy vendeve.

Po ashtu në njoftim thuhet se Osmani ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në mekanizmat e euro-atlantik të sigurisë si dhe nevojën për rritjen e shkëmbimit tregtar e ekonomik, si dhe bashkëpunimin në sferën e turizmit e kulturës.

Ndërkaq ministri Dendias ka deklaruar se do të mbështesin Kosovën në rrugën evropiane, sikurse edhe në procesin e liberalizimit të vizave. /mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!