Vjosa Osmani e denoncoi për kërcënim, policia në kërkim të ish-amabasadorit

schedule15:22 - 18 Janar, 2022

schedule 15:22 - 18 Janar, 2022

Ish-amabasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Gjergj Dedaj, është denoncuar te organet e rendit pas deklaratës që ka dhënë dje në emisionin “Frontal” në T7 për presidenten Osmani. Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, ka konfirmuar për T7 se Dedaj është denoncuar për kërcënim publik kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj.

Gazeta Express mëson se Policia e Kosovës po e trajton rastin e kërcënimit të Dedajt ndaj Presidentes, të cilin e ka denoncuar ajo. PK nuk kanë konfirmuar akoma nëse Dedaj është shoqëruar në stacionin policor për intervistim.

Siç kemi paralajmëruar z.Gjergj Dedaj është denoncuar te organet e rendit për kërcënim publik kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj”, ka konfirmuar në një përgjigje për T7 Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidentes Osmani.

Gjergj Dedaj ka thënë se ndihet i rrezikuar nga siç e ka quajtur ai “Klani i Osmani” ku ka përmendur presidenten Vjosa Osmani dhe bashkëshortin e saj, Prindonin.

Dedaj në Frontal të T7 tha se është njeri i ligjit, por tutje theksoi se përveç ligjit, te ai dhe familja e tij që vjen nga Malësia e Gjakovës, vepron edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit.

“Unë jam i ligjit, mirëpo na jemi shqiptarë. Nuk mundesh dikë që ja ki inati me e vra. Unë jam i rrezikum, nga Klani i Osmanit, i Vjosës dhe bashkëshorti i saj, nga njerëzit e saj dhe i listës Guxo. Nuk di që duhet me pasë kërcënim tjetër kur ta rrezikon jetën, të len të paftyrë, të hejk prej listës së pagave”, tha Dedaj.

Ai ka thënë se nëse dikush e shkel ose e vret, do ta vret edhe ai.

“Përveç ligjit të unë dhe familja ime te Malësia e Gjakovës vepron edhe kanuni i Lekë Dukagjinit. Nëse me shkel dikush, me vret dikush ka mu vra edhe ai. Edhe ai ka me pasë pasoja. Presionin që janë kah ma bajnë”, ka thënë Dedaj.

Pas deklaratës së tij, ka reaguar këshilltari i Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, sipas tij Dedaj ka kërcënuar Presidenten dhe familjen e saj me ato deklarata.

“Një person totalisht i papërgjegjshëm që për shkak të interesave meskine dhe prapaskenave të ulëta është katapultuar  në pozitën e ambasadorit pa i plotësuar kriteret themelore, manipulon, përvetëson dhe kërcënon kreun e shtetit. Pa asnjë hezitim, ai përdorë deklarimin në një emision live për të bërë kërcënim kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj, për të cilën gjë ai do të denoncohet në organet e rendit.”, ka thënë ai mbrëmë ndër të tjera. /Express/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!