Vjenë, mijëra vetë protestojnë kundër masave bllokuese

schedule16:34 - 4 Dhjetor, 2021

schedule 16:34 - 4 Dhjetor, 2021

Mijëra vetë protestuan në Vjenë të shtunën kundër kufizimeve për të frenuar pandeminë e koronavirusit.

Përballë rritjes së infeksioneve ditore, muajin e kaluar, Austria u bë vendi i parë në Evropën Perëndimore që rivendosi masat e bllokimit. Autoritetet kanë njoftuar gjithashtu se do ta bëjnë të detyrueshëm vaksinimin duke filluar nga muaji shkurt.

Protestuesit mbanin pankarte ku shkruhej: “Unë vendos vetë”, “Ta bëjmë Austrinë të madhërishme sërish” e “Zgjedhje të reja”, një shenjë e problemeve politike në këtë vend, i cili brenda dy muajsh, ka patur tre kancelarë.

Rreth 1200 oficerë policie monitoruan protestën. Policia tha se do t’u kujtonte marshuesve të mbanin maska dhe se do të ngrinin akuza ndaj atyre që nuk do ta bënin një gjë të tillë.

Këtë javë një komision parlamentar miratoi dyfishimin e kohëzgjatjes së masave kufizuese, në 20 ditë, për të cilën qeveria ka thënë se do të jetë afati maksimal.

Austria, një vend me 8.9 milionë banorë, ka raportuar rreth 1.2 milionë raste me koronavirusit dhe më shumë se 12,000 vdekje që nga fillimi i pandemisë. Rastet e infeksioneve të reja kanë rënë që nga fillimi i bllokimit./VOA