Kurora e Mbretëreshës Eugenie, bashkëshortes së Napolonit III, një prej thesarëve më të çmuar të Luvrit, u gjet e shtypur pas grabitjes spektakolare që tronditi muzeun më 19 tetor të vitit të kaluar.
Megjithëse grabitësit vodhën bizhuteri me vlerë rreth 88 milionë euro (£76 milion, $104 milion), kurora e dekoruar me diamante mbeti pas, e dëmtuar, por sipas muzeut është gati e paprekur dhe mund të rikthehet në gjendjen e saj origjinale.
Fotografitë e para të publikuara nga muzeu tregojnë se kurora ishte lënë “shumë e deformuar”, pasi grabitësit përpiqeshin ta nxirrnin nga një vrimë e ngushtë në vitrinën e saj prej qelqi. Kurora ka humbur një nga tetë shqiponjat prej ari që e zbukuronte, por ruan 56 smeralde dhe pothuajse të gjitha diamantet e saj (vetëm 10 nga 1,354 diamantet mungojnë). Sipas muzeut, rikthimi do të bëhet pa nevojën për rindërtim, duke ruajtur kështu pamjen dhe strukturën origjinale të shekullit XIX.
Rikthimin e kurorës do ta mbikëqyrë një komitet ekspertësh i udhëhequr nga presidentja e Luvrit, Laurence des Cars, që do të sigurojë se çdo detaj historik do të rikthehet me kujdes maksimal. Grabitja e tetorit të kaluar ishte mjeshtërisht e planifikuar. Grabitësit përdorën një ngritës mekanik të vjedhur për të hyrë në Galerinë e Apollonit përmes një ballkoni pranë lumit Sena.
Ngjarja tronditi jo vetëm muzeun, por edhe publikun ndërkombëtar, duke nxjerrë në pah pasurinë e jashtëzakonshme të Luvrit dhe rrezikun që i kanoset objekteve të rralla historike. Kurora e Mbretëreshës Eugenie mbetet një simbol i madhështisë dhe elegancës franceze të shekullit XIX, dhe rikthimi i saj i plotë do të jetë një fitore e madhe për trashëgiminë kulturore dhe për muzeun më të vizituar në botë.


