Pas publikimit në mediat online se partia socialiste ka përdorur databasen e portalit qeveritar e-albania me të dhënat personale të qytetarëve në funksion të fushatës elektorale, numri një i prokurorisë së posaçme Arben Kraja deklaroi se në ditët në vijim do të ketë një përgjigje në lidhje me këtë skandal.
“Po kryhen verifikimet e nevojshme, në ditët në vijim do keni një përgjigje” tha ai. Përveç hetimit penal që po ndiqet nga Prokuroria e Posaçme ka nisur edhe një hetim administrativ nga Zyra e Komisionerit për mbrojtjen e të dhënave personale. Sipas zëdhënësit Redi Skenderi Zyra e komisionerit është duke e ndjekur rastin dhe pas mbledhjes së provave vendimmarrjen do e bëjë publike në faqen zyrtare të internetit.
“Po bëhen të gjitha vlerësimet e nevojshme ligjore për administrimin zyrtar të informacionit, apo provave të nevojshme për shqyrtimin administrativ të rastit, natyrisht për aq sa çështja në fjalë nuk hyn në juridiksionin penal. Zyra e komisionerit disponon dhe vendos vetëm mbi provat. Vendimmarrja do të jetë publike. Institucioni ka administruar prej janarit të 2021 vetëm dy ankesa nga qytetarët, në kuadër të fushatës zgjedhore”.
Një ditë më parë, prokuroria e posaçme ka sekuestruar databesin e të dhënave të portalit e-albania për të parë nëse ato janë vendosur në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Verifikimi ka nisur pas publikimit në mediat online, ku të dhënat personale të qytetarëve jane përdorur nga partitë politike. Mësohet se do të sekuestrohet edhe databesi i bërë publik për të krahasuar më pas nëse bëhet fjalë për të njëjtat të dhëna me ato të E-Albania./ Abcnews.al