Vizitë në zyrën e Punës, Ibrahimaj: Bashkëpunim me biznesin për punësimin e personave me aftësi të kufizuar

schedule12:31 - 12 Maj, 2023

schedule 12:31 - 12 Maj, 2023

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një vizitë në zyrën e Punës në Tiranë. Gjatë kësaj vizite, Ministrja u takua me 10 punëkërkues me aftësi të kufizuara, të cilët janë punësuar apo do të punësohen gjatë këtij muaji me ndërmjetësin e zyrave të Punës, ku zhvilloi një bashkëbisedim me ta dhe me përfaqësues të bizneseve ku ata do të punësohen.

Ministrja Ibrahimaj vlerësoi vullnetin e shprehur nga bizneset për punësimin e personave me aftësi të kufizuar para hyrjes në fuqi të ndryshimeve në ligjin “Për nxitjen e punësimit”, të cilat parashikojnë një sërë detyrimesh lidhur me punësimin e personave me aftësi të kufizuara, duke nisur nga 1 Janari i vitit 2024.

Ministrja theksoi se qeveria është e angazhuar në përmbushjen e detyrimeve sa i përket punësimit të kategorisë së punëkërkuesve PAK, me qëllim vendosjen e barazisë për çështjen sociale dhe punësimin e sa më shumë personave me aftësi të kufizuara.

Një rëndësi të veçantë, sipas Ministres Ibrahimaj, ka edhe bashkëpunimi mes institucioneve shtetërore dhe biznesit për përmbushjen e detyrimeve sa i përket punësimit të PAK.

Aktualisht janë 2232 punëkërkues me aftësi të kufizuar të regjistruar në sistemin e shërbimeve të punësimit për Rajonin e Tiranës.

Aktualisht, Agjencia Kombëtare për Punësimin dhe Aftësimin është angazhuar në një fushatë takimesh me subjektet, për t’i informuar dhe sensibilizuar ato lidhur me bazën ligjore dhe detyrimin që ata kanë për punësimin e personave të kufizuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!