Sondazh

Kush po e provokon tensionin në Shkup:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Vizita në Kore të Jugut dhe Japoni/Rama: Shqipëria po fiton respekt dhe mbështetje ndërkombëtare në Azi

schedule09:28 - 24 Maj, 2026

schedule 09:28 - 24 Maj, 2026

Kryeministri Edi Rama, në një mesazh nga Tokyo, vlerësoi vizitat zyrtare në Kore të Jugut dhe Japoni si një tjetër dëshmi të rritjes së rolit dhe prestigjit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Sipas tij, gjatë takimeve u vu re një interes i shtuar për bashkëpunim ekonomik, teknologjik dhe turistik me Shqipërinë.

Në Seul, Rama mori pjesë në Konferencën Aziatike të Lidershipit si i ftuar nderi dhe zhvilloi takime me kryeministrin Kim Min-seok, ku u diskutua zgjerimi i bashkëpunimit në inteligjencë artificiale, teknologji dixhitale, industri ushtarake dhe turizëm. Ai theksoi gjithashtu interesin e kompanive të mëdha koreane për investime në Shqipëri.



Ndërsa në Tokyo, kryeministri u prit me ceremoni shtetërore nga kryeministrja japoneze Sanae Takaichi. Në fokus të bisedimeve ishin ekonomia, energjia, teknologjia, mbrojtja dhe turizmi, si edhe mbështetja e Japonisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimi Europian.

Rama mbajti gjithashtu një fjalim në Universitetin e Kombeve të Bashkuara, ku foli për transformimin e Shqipërisë dhe procesin e integrimit europian.

“Këtu, mirëmbrëma, atje, mirëmëngjes!Përshëndetje nga Tokio, prej ku, mu përpara nisjes për në Shqipëri, po regjistroj këto shënime pas një jave domethënëse për Shqipërinë, për mënyrën se si vendi ynë rritet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Natyrisht, jo në përmasë, por në shkallën e respektit dhe të vlerësimit për dinjitetin me të cilin ndërveprojmë në komunitetin e shteteve. Fillimisht, në Korenë e Jugut dhe më pas në Japoni, ishin dy stacione ku gjetëm një interes të shtuar për Shqipërinë, një dëshirë të lexueshme për bashkëpunim dhe për forcim të miqësive të natyrshme mes vendeve demokratike. Në Konferencën Aziatike të Lidershipit pata rastin të flas si i ftuar nderi, me një përfaqësi të gjerë të komunitetit ekonomik të kësaj pjese të zhvilluar të botës. Fola për transformimet e mëdha të Shqipërisë, nga izolimi drejt bashkimit me Europën dhe, më pas, në takimin me kryeministrin Kim Min-seok, u ndalëm në mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në inteligjencë artificiale, teknologji dixhitale, industri ushtarake dhe turizëm, duke cekur po ashtu simbolikën e takimit që përkon me 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Aty takuam gjithashtu një sërë kompanish të mëdha, prestigjioze, ku konstatuam një interes gjenuin për Shqipërinë, si shembull suksesi dhe si destinacion investimesh të mundshme. Më pas, këtu në Tokio, vizita e konfirmoi rritjen e nivelit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Japonisë. Ishte vërtet një nder i veçantë pritja me ceremoninë e lartë shtetërore nga kryeministrja Sanae Takaichi, me të cilën krijuam menjëherë një komunikim të drejtpërdrejtë dhe miqësor. Diskutuam zgjerimin e bashkëpunimit në ekonomi, në teknologji, në energji, mbrojtje dhe, po ashtu, edhe këtu, në turizëm. Siç u theksua më pas nga kryeministrja në statusin e saj, mbështetja e Japonisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk ishte thjesht një mesazh formal, por një shprehje e respektit të Japonisë për suksesin tonë në rrugën e transformimit historik të shtetit shqiptar, në një shtet vibrant, demokratik dhe në zhvillim të vazhdueshëm e të qëndrueshëm. Ishte kënaqësi dhe nder më vete edhe ftesa për të folur në Universitetin e Kombeve të Bashkuara në Tokio, ku ndava me studentë, diplomatë dhe akademikë historinë e transformimit të Shqipërisë, fazën ku ndodhet sot procesi i negociatave me Bashkimin Europian, si dhe pikëpamjet tona për të ardhmen e Europës së përbashkët. Të mbushura me energji pozitive ishin edhe takimet me strukturat e parlamentit, kryeparlamentarin e Japonisë, deputetët e Ligës së Miqve të Shqipërisë, si edhe me komunitetin e sipërmarrjes japoneze. Por besoj se ajo që ka rëndësi, mbi të gjitha, është fakti se sot Shqipëria ka hyrë krejt natyrshëm në hapësira dialogu dhe partneritetesh, ku deri jo shumë vite më parë do të ishte vërtet e vështirë edhe të imagjinohej respekti që ka sot bota për vendin tonë.”, tha Rama.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!