Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë në Greqi, në 12 maj. Politologu Ervis Iljazaj në një intervistë në emisionin “Zonë e Lirë” në ABC News komentoi vizitën e kryeministrit në shtetin fqinj duke thënë se Rama ka fituar një protagonizëm ndërkombëtar, ndërsa shtoi se opozita është totalisht e izoluar.
“Opozita është nën një lloj izolimi. Ndërsa Rama ka fituar një protagonizëm, ndërkombëtar. Pra mbështetja ndërkombëtare nuk të sjell në pushtet, por pa të është e vështirë. Por të gjitha këto aktivitete që bëhen e kanë një konjuturë politike. Politika ka të bëjë me ato që nuk thuhen dhe nuk shikohen. Mund të them se protagonizmi i Ramës dhe këtij aktiviteti në Greqi, nuk ka pse të shihet si ndonjë çudi, po shkon të takojë emigrantët. Por rëndësinë e këtij aktiviteti e krijuan grekët vetë. Pra nëse mediat greke nuk do t’i jepnin kaq rëndësi nuk do të ishte kjo situatë. Një kryeministër po bën një vizitë, e lejojnë ligjet dhe nuk e pengon asnjë ligj. Nuk e shoh as sfidë, as fuqi asgjë, por një takim normal”, tha Iljazaj.
Nga ana e tij, pedagogu Ermir Gjinishi, theksoi se kjo vizitë e kryeministrit Rama në shtetin fqinj, i gjen marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë shumë të dobëta.
“Vizita është më 12 maj, politika flet me simbole. Si e gjen marrëdhënien Shqipëri-Greqi vizita e Ramës? Të dobët. Ne jemi një moment që marrëdhëniet janë pothuasje zero, dhe ky shkon atje duke zgjedhur datën 12 maj”, tha Gjinishi.
Ndërsa Ilir Kulla u shpreh: “Nga emigrantët e Greqisë, varet një mandat më shumë ose më pak në qarkun e Korçës dhe në qarkun e Gjirokastrës. Pra ai po tregon se tani është momenti që këtë që po bën Greqia, ta kthejë në forcë”.
/abcnews.al/