Papa Leoni XIV nisi pjesën e dytë të udhëtimit të tij të parë jashtë vendit, duke u ndalur në Liban, ku u takua me presidentin e vendit.
Vizita e Atit të Shenjtë në vendin e Lindjes së Mesme ka një simbolikë tejet të veçantë, sidomos në një kohë kur Libani është përballur me sulmet e vazhdueshme izraelite.
Qëllimi i kësaj vizite është të japë një mesazh shprese për popullin e Libanit e sidomos për komunitetin e krishterë të vendit.
Leoni XIV po përmbush gjithashtu një premtim të paraardhësit të tij, Papa Françeskut, i cili kishte dashur ta vizitonte Libanin për vite me radhë, por nuk mundi pasi shëndeti i tij u përkeqësua.
Gjatë takimit me presidentin Zhozef Aun, Ati i Shenjtë u bëri thirrje liderëve politikë të vendit që të tregojnë unitet e të lënë mënjanë mosmarrëveshjet.
Nga ana tjetër Aun u zotua për një trajtim të barabartë mes komunitetit mysliman dhe atij të krishterë.
Vizita e papës amerikan në Liban vjen pas një ndalese në Turqi, ku bashkë me patriarkun Bartolomeu kremtoi 1700 vjetorin e këshillit të Nikeas, një ngjarje e rëndësishme për të krishterët në të gjithë botën.
Por para se të mbërrinte në Beirut, Leoni XIV u ndal edhe te një nga çështjet më të rëndësishme në Lindjen e Mesme: konflikti Izrael-Palestinë.
Ati i Shenjtë përsëriti të njëjtin qëndrim si paraardhësi i tij se zgjidhja e vetme është ajo me dy shtete, edhe pse Izraeli nuk e pranon.
Papa theksoi se Vatikani mund të jetë një zë ndërmjetës për të dyja palët, për t’i ndihmuar të gjejnë një zgjidhje të drejtë për të gjithë.

